Arbëri

Osmani takon Prattipatin dhe Hargreavesin para se të adresohet për konstituimin e Kuvendit

Presidentja Vjosa Osmani në takim me të ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve, Anu Prattipati

të ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve, Anu Prattipati

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para se të mbajë konferencë për shtyp për çështjen e konstituimin të Kuvendit, ka pasur takim me të ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve, Anu Prattipati dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Sipas njoftimit të Presidencës, në të dyja takimet u diskutua vetëm se si të shkohet më tutje për konstituimin e Kuvendit.

“Në takime u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në hapat përpara drejt konstituimit të Kuvendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, vijon njoftimi.

Deputetët kanë dështuar për 50 herë radhazi ta konstituojnë Kuvendin. As seanca e fundit konstituive e mbajtur më 21 korrik nuk solli rezultat. Partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë po kundërshtojnë të marrin pjesë në votimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë. E, Lëvizja Vetëvendosje shprehet bindshëm secilën herë se votimi i fshehtë do ta mundësonte votimin e kryeparlamentarit.

Votimi ka ngecur tek emri i propozuar i LVV-së për kryetare të Kuvendit. Partitë e tjera janë shprehur se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun, ndërsa kanë kërkuar nga LVV-ja të propozojë emër tjetër.