Me dyer të mbyllura për media, Qendra e Azilit në Magurë të Lipjanit gjatë së premtes ka organizuar vaksinimin e mbi 30 azilantëve në mënyrë masive. Në këtë qendër ka të strehuar edhe azilantë nga vende të ndryshme, ndërkaq sipas mjekëve kujdestarë, një pjesë e tyre kanë refuzuar të marrin vaksinën për imunizim kundër Covid19.
Izer Sinani, koordinator i Qendrës së Vaksinimit në Lipjan, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë e ka pajisur stafin mjekësor me pajisje të veçanta elektronike në mënyrë që procesi i vaksinimit në qendrën e Azilit të përfundon brenda ditës.
“Kemi filluar vaksinimin në qendrën e Azilit këtu në Magurë për refugjatët të cilët janë të akomoduar. Procesi i vaksinimit është duke shkuar sipas planit shtetëror të vaksinimit, kanë bërë kërkesë që t’i vaksinojmë azilantët të cilët janë moshën mbi 16 vjeçare”, ka thënë Sinani.
Ai shpjegon se një ditë më parë e gjithë azilantët i janë nënshtruar testit “Rapid”, ndërkaq dy prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
“Duke e parë se mund të jenë përhapës ose të infektuar nga Covid-19 atëherë e kemi parë të arsyeshme që edhe këta që janë të akomoduar duhet të vaksinohen. Para se t’i vaksinojmë në qendrën e azilit i kemi dërguar laborantët që paraprakisht ua kanë bërë testin ‘Rapid’ ku ata që kanë rezultuar negativë, ne jemi të gatshëm t’i vaksinojmë. Por, një pjesë e vogël kanë refuzuar ta marrin vaksinën”, ka thënë Sinani.
Ai ka njoftuar se deri më tash në Komunën e Lipjanit, 32 mijë e 712 qytetarë janë imunizuar.
Ndërkaq, azilanti nga Tunizia, Zaid Muhamed, ka thënë se ka marrë vaksinën dhe është i kënaqur me shërbimet që i ofrohen në këtë qendër.
“Jam prej Tunizisë, jetoj në këtë kamp, këtu janë njerëzit e mirë. Tash jam i vaksinuar për t’u mbrojtur nga Covid 19. Këtu në kamp të gjithë janë të mirë edhe policët, por edhe sigurimi. Kosova është vendi i parë që i ka ndihmuar refugjatët, sepse unë kam qenë edhe në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, por jam vendosur në Kosovë, sepse këtu kam gjetur mbështetje nga njerëzit e mirë. Shpresoj që të gjithë ta marrin këtë vaksinë, në mënyrë që bota njerëzit e botës të jenë më të mirë dhe më të lumtur”, ka thënë midis të tjerash Muhamedi.