Arbëri

Nga nesër do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë

kamion

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se ka pranuar informata nga zyrtarët kufitarë të palës serbe se nga nesër me fillim nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kampionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë. Shkak do të jetë protesta e paralajmëruar e Shoqatës së Transportuesve në Serbi. 

Protesta është organizuar si pasojë e masave të ndërmarra nga BE-ja për shoferët e kamionëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. 

Protesta pritet të zgjasë 7 ditë. 

"Sipas njoftimit të pranuar nga zyrtarët kufitar të palës serbe, prej nesër datë, 26.01.2026, me fillim nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve, në të gjitha PKK me Serbinë, si pasojë e masave të ndërmarra nga BE për shoferët e kamionëve të rajonit. Sipas njoftimit protesta do të mbahet në territorin e Serbisë dhe mund të zgjasë shtatë ditë. Këto protesta  do të ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit, mallrave dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të RKS me  vendet e rajonit, që janë përfshirë në protesta.  Për më tepër shoqatat e transportit të mallrave ose shoferët e kamionëve mund të mbajnë kontakte me homologët e tyre ose kolegët e tyre në rajon”, është njoftuar nga Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar. 

Sipas transportuesve, sistemi EES po u shkakton vështirësi serioze në punën e përditshme, ndërsa kërkesat dhe propozimet e tyre për thjeshtimin e procedurave kufitare nuk janë pranuar nga Brukseli. Për këtë arsye, ata kanë vendosur të ndërmarrin masa radikale, duke bllokuar terminalet e mallrave, jo ato të pasagjerëve.