Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza reagoi për praninë e njësive speciale të Policisë në Skenderaj, por nuk komentoi incidentin ku dyshohet se u përfshi kryetari i Komunës së Skenderajt që vjen nga partia që ai drejton, Sami Lushtaku. Një ditë pas përplasjes me zyrtarë të LVV-së, Hamza akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për propagandë dhe përçarje, ndërsa reagimet në PDK, për rastin mbetën të rezervuara.
Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka reaguar për praninë e njësisë speciale mbrëmë në Skenderaj, por nuk tha asnjë fjalë lidhur me incidentin në të cilin u përfshi kryetari i kësaj Komunës, Sami Lushtaku.
“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin”, ka vlerësuar Hamza.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë ditë më parë, nënkryetarja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dënoi dhunën, por tha se ajo e pati burim provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike që sipas saj janë bërë ndaj Lushtakut.
“Dhuna nuk është zgjidhje. Por as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë. Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën”, ka theksuar Deliu-Kodra.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, mbrëmë në “Interaktiv” tha PDK-ja pret vlerësim të situatës nga ana e autoriteteve të rendit dhe ligjit.
“Mendoj se Partia Demokratike do ta bëjë një deklaratë. Nëse jo sot, nesër sepse nuk ka tjetër rrugë. Samiu është kryetar i partisë në Skenderaj, është kryetar i komunës, është figurë e rëndësishme e politikë dhe e së kaluarës historike të Kosovës, prandaj nuk e kanë edhe lehtë të deklarohen. Besoj se nuk është procesi elektoral, por duhet pasur informata shtesë të pavarura nga të dyja anët”, ka theksuar Haliti.
Mosreagimin e PDK-së, e sheh ndryshe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.
“Asnjë nga deputetët nuk ka guxim të dalë ta dënojë një akt të tillë, sepse në fakt në subjektin politik të tyre, kryetari i partisë është dikush që është kryetar i një komune tjetër, por s’është kryetar i partisë. Ka mbaruar koha kur partitë udhëheqin me muskuj dhe jo me dije”, ka theksuar Azemi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i pyetur për reagimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për incidentin e djeshëm, tha se ka qenë i vonuar. Sipas tij, aktivistët e VV-së u dënuan me burg për statuse dhe se tani do të shohin si do të veprojë drejtësia për sulmin ndaj Mehanit.
“Për përshtypjen time reagimi edhe i policisë edhe i prokurorisë ka qenë i vonuar. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pastaj në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë”, tha Kurti.
Mbrëmë në orët e vona pati prani të njësiteve speciale të Policisë në Skenderaj, gjë që nxiti reagim të qytetarëve.
Ndërkohë, Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se ka intervistuar persona të dyshuar e dëshmitarë.
Sipas këtij institucioni, dy persona janë ndaluar për 48 orë.