Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shteti s’i informon për të drejtën në pension pacientët që s’mund të punojnë shkaku i sëmundjes

Spital - QKUK

Fofo: Arkiv

Pacientëve që nuk mund të punojnë për shkak të sëmundjes dhe nuk mund të kenë jetesë të pavarur, u takon e drejta për pension mujor. Por, shteti nuk i informon për këtë. Një numër pacientësh thanë se nuk kanë qenë të informuar për të drejtën në pension. Edhe disa që kanë siguruar pensionet, treguan se u informuan vetëm nëpërmjet pacientëve të tjerë

Paaftësia për punë dhe jetesë të pavarur janë dy kriteret mbi të cilat jepen pensione mujore për pacientët me sëmundje, por shumë nuk janë të informuar për këtë mundësi.

Bazuar në një librezë të një pacienti me kancer, e të cilën e posedon KOHA, pensioni përshkruhet si e drejtë e personave me aftësi të kufizuara.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por për ta siguruar këtë status mungon informimi institucional. 

Një pacient tha se nuk ka aplikuar për pension, sepse nuk e ka ditur se mund t’i takojë.

“Tash prej juve po dëgjojmë. Tash duhet me i marrë dokumentet prej doktorit çka i kam edhe me shku në ministri me këqyr”, tha njëri prej pacientëve.

E, një familjar i një pacienti që merr pension, tha se është informuar nga pacientë të tjerë për këtë të drejtë, e tek më pastaj ka nisur procedurat për ta marrë statusin që i siguron të ardhura mujore.

“Kam dëgjuar prej qytetarëve kështu, prej pacientëve që janë të sëmurë. Prej tyre kom dëgju. E kam pyet edhe mjekun. Tha: ‘Duhet komisioni mjekësor me ta nënshkru, edhe po të takon një pension’”, ka thënë ky qytetar.

KOHA ka biseduar edhe me disa pacientë që tash e një kohë përfitojnë pensionin mujor në vlerë 150 euro, por edhe ata kanë thënë se nuk janë informuar nga institucionet, kur kanë aplikuar.
“Gjatë bisedës me një paciente, më ka thënë se përse nuk po i rregullon dokumentet për pension. Dhe pastaj jam interesuar vetë. Por më herët nuk kam qenë në dijeni”, ka thënë ai.

Në Klinikën e Onkologjisë, ku çdo ditë marrin shërbim qindra pacientë, thonë se përgjegjësia për mungesën e informimit për të drejtat sociale u takon institucioneve të mirëqenies sociale.

“Klinika e Onkologjisë e vlerëson si shumë të rëndësishme çështjen e informimit të pacientëve lidhur me të drejtat e tyre sociale, përfshirë edhe mundësinë e përfitimit të pensioneve apo mbështetjeve të tjera financiare. Sa i përket pyetjes pse pacientët nuk informohen në mënyrë të strukturuar për këtë mundësi, dëshirojmë të sqarojmë se roli primar i stafit mjekësor në Klinikën e Onkologjisë është ofrimi i trajtimit dhe kujdesit shëndetësor. Informimi mbi skemat sociale dhe përfitimet financiare zakonisht bie në kompetencë të institucioneve përkatëse të mirëqenies sociale”, ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Deri sivjet me skemat pensionale është marrë Ministria e Financave, por çështja ka kaluar te Ministria e Punës dhe Familjes, e formuar në kuadër të qeverisë së re.

Në këtë dikaster thanë se përfitimi i pensionit për personat me aftësi të kufizuara bëhet mbi bazën e shkallës së kufizimit funksional që shkakton sëmundja, bazuar në dokumentacionin mjekësor.

Në Ministri nuk treguan se si bëhet informimi i qytetarëve për këtë të drejtë, por pranuan se duhet rritur ndërgjegjësimi dhe transparenca.

“Çdo rast vlerësohet individualisht nga komisionet përkatëse mjekësore, duke marrë parasysh gjendjen funksionale të pacientit, fazën e sëmundjes, trajtimin dhe ndikimin në aftësinë për punë dhe jetesë të pavarur. Ministria, vlerëson se është bërë progres në informimin e qytetarëve për këtë të drejtë, megjithatë mbetet e përkushtuar që të rrisë më tej transparencën dhe ndërgjegjësimin publik, në mënyrë që të gjithë qytetarët që plotësojnë kushtet të kenë qasje në të drejtat e tyre”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë.

Në Ministri nuk kanë treguar se cilat janë patologjitë më të shpeshta që mbështeten, duke theksuar se të dhënat për pacientët përfitues nuk i kanë të ndara sipas diagnozave, por vetëm si përfitues të përgjithshëm.