Nëpër qytete të Kosovës ka pasur përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit.
Shtimja shpalli gjendje emergjente, pas vërshimit të disa fshatrave, ndërsa situata e rënduar është paraqitur edhe në qytete tjera si Prishtinë, Ferizaj, Podujevë, Fushë-Kosovë, Gjilan e Kamenicë.
“Mbrëmë deri në orët e mesnatës kemi qenë në terren me të gjitha strukturat lokale, ekipet e zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës. Për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut, shtrati i lumit ka vërshuar në disa fshatra të rrafshit, me ç’rast është shpallur gjendje emergjente. Gjendja aktuale është e stabilizuar dhe që nga mëngjesi ekipet tona po punojnë pa ndalur për të vlerësuar dëmet, për të ndërhyrë aty ku ka nevojë urgjente dhe për të siguruar që asnjë familje të mos mbetet pa ndihmë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me banorët e zonave të prekura dhe çdo kërkesë po trajtohet me prioritet. Komuna e Shtimes do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rreziqeve të mëtejshme”, ka shkruar kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu në Facebook.
E për gjendjen në Gjilan ka shkruar kryetari Alban Hyseni.
“Sot, gjatë gjithë ditës, ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren me kapacitet të plotë, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë aty ku ka qenë e mundur për të minimizuar dëmet nga reshjet e shiut, të cilat vazhdojnë edhe në këto momente. Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, disa zona në Komunën tonë po hasin vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. Në këtë kontekst, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të lëvizin vetëm kur ka emergjencë dhe të përdorin rrugët e qytetit, duke shmangur rrugët qarkore dhe ato ku ka rritje të nivelit të ujit, përfshirë rrugën Malishevë–Gjilan, Livoç i Poshtëm dhe i Epërm, rrugën “Enver Miftari” dhe zonat pranë lumenjve”, ka shkruar Hyseni.
E Komuna e Drenasit ka njoftuar po ashtu se janë aktivizuar kapacitetet emergjente.
“Reshjet e paralajmëruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës po vazhdojnë dhe paraqesin rrezik për vërshime në disa zona të komunës. Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave ka aktivizuar kapacitetet emergjente dhe ekipet tona janë në terren duke inspektuar gjendjen dhe duke ndërmarrë masa të menjëhershme për të mbrojtur banorët dhe tokat bujqësore. U bëjmë thirrje qytetarëve të lëvizin me kujdes, të shmangin zonat pranë lumenjve dhe përroskave, të mos hedhin mbetje në kanalet e ujërave, të kujdesen për kanalizimet dhe të mos hapin kapakët e pusetave, pasi kjo rrit rrezikun e bllokimeve dhe dëmeve. Çdo situatë urgjente duhet të raportohet menjëherë tek organet kompetente”, është njoftuar nga Komuna e Drenasit. “Për shkak të pastrimit të mbetjeve pranë urës, rruga Sokol Elshani do të jetë e mbyllur përkohësisht deri në përfundim të punimeve. Ekipet komunale mbeten në gatishmëri për çdo rast”.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë dy ditëve ka pasur rritje të niveleve të lumenjve, ndërsa disa prej tyre në disa segmente kanë dalë nga shtrati.
Në Prishtinë të martën u anulua procesi mësimor shkaku i paralajmërimeve për vërshime.
KEDS-i ka publikuar një video ku shihen ekipet e tij me barkë për të arritur te një vend ku pati prishje të rrjetit elektrik në segmentin Ferizaj – Viti.
“Ekipi i KEDS-it ka improvizuar një barkë për të arritur tek vendi i prishjes së rrjetit elektrik në segmentin Ferizaj–Viti, i cili është përmbytur nga reshjet e fundit. Rruga është e pakalueshme për automjete, por punëtorët tanë kanë gjetur zgjidhje kreative dhe kanë arritur tek vendi. Pavarësisht kushteve të rënduara atmosferike, ekipet tona po punojnë pa ndërprerje për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike në rërë territorin e vendit”, ka shkruar KEDS.