Arbëri

Murati: Kushtetuta nuk lejon zgjedhje pa tentuar për herë të dytë formimin e qeverisë

Hekuran Murati

Hekuran Murati

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Kushtetuta nuk e përjashton mundësinë e mandatit të dytë për formimin e qeverisë, në rast se dështon i pari.

Sipas tij, vetë mënyra se si është formuluar Kushtetuta e bën pothuajse të pamundur që vendi të shkojë në zgjedhje pa u bërë përpjekje e dytë për krijimin e Qeverisë. 

Ai shtoi se zgjedhjet mund të shpallen pa tentuar për herë të dytë vetëm nëse asnjë subjekt politik nuk është i interesuar për të marrë mandatin pas dështimit të parë. 

“Synimi është që të shfrytëzohet çdo mundësi për formim të qeverisë para se vendi të dërgohet përsëri në zgjedhje. Dhe ngjashëm sikurse mandatari i parë, edhe i dyti, sipas Kushtetutës i ka 15 ditë kohë për të siguruar shumicën e nevojshme”, ka shkruar ai në Facebook. 

Sipas tij, vendimi për caktimin e mandatarit të dytë është në diskrecion të Presidentes, e cila duhet të vlerësojë se cili person apo subjekt ka “gjasat më të mëdha për të formuar qeverinë”.