Filmi me dramën e një adoleshenteje shqiptare të Kosovës ia ka hapur dyert shtetit më të ri të Evropës në atë që është festivali i festivaleve. E ka kthyer atje një histori që tregon spastrimin etnik në fundshekullin e kaluar në Evropë dhe këtë nëpërmjet syve të sinqertë të një adoleshenteje. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Cannes sot (e martë) hap dyert për maratonën e këtij edicioni që zgjat 12 ditë. Po sot atje arrin edhe ekipi i filmit “Dua”, nën regji të Blerta Bashollit
Është një adoleshente që sapo ka nisur të zbulojë më shumë veten dhe kënaqësitë që të jep ajo moshë. Por, për dallim nga bashkëmoshatarët e vendeve të tjera, Duas i bie të përballet me shumë më tepër. “Ikni se policia” është zëri që dëgjohet në fillim të “trailerit”. Në një minutë e 40 sekonda të zgjedhura për të shfaqur pak nga filmi mund të lexohet shumë. Merret vesh se bëhet fjalë për një projekt kinematografik që në bazë ka ndjesinë njerëzore në një moshë të re dhe një të ardhme pa pikë sigurie. Bëhet fjalë për fundin e viteve ’90. Filmi me dramën e një adoleshenteje shqiptare të Kosovës ia ka hapur dyert shtetit më të ri të Evropës në atë që është festivali i festivaleve. E ka kthyer atje një histori që tregon spastrimin etnik në fundshekullin e kaluar në Evropë, dhe këtë nëpërmjet syve të sinqertë të një adoleshenteje.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Cannes sot (e martë) hap dyert për maratonën e këtij edicioni që zgjat 12 ditë. Po sot atje arrin edhe ekipi i filmit “Dua”, nën regji të Blerta Bashollit. Ky film, me rrëfimin e një 13-vjeçareje, do të shfaqet tri herë në kuadër të “Javës së Kritikës”, seksion paralel i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes. Është brenda konkurrencës zyrtare të filmave të gjatë artistikë në këtë program.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë ditët kur bota ka sytë nga Cannes dhe kur yjet e filmit defilojnë nëpër tepihun e kuq e ambiente plot glamur, rrëfimi i Kosovës shfaqet me një histori të gati tri dekadave më parë. Në “trailerin” e publikuar të hënën merret vesh se në klasën e Duas shtohen nxënës të rinj. Janë refugjatë. Më pas në klasë ngjajnë edhe shumë gjëra, aso që mësuesja e ka të vështirë t’i tregojë. Xhudo nuk vjen si sport – me të cilin tash Kosova është e njohur botërisht – por edhe si masë mbrojtëse. Në mendjen e adoleshentëve është edhe masë mbrojtëse kundër artilerisë së forcave të Serbisë, që ato ditë dëbuan dhunshëm nga Kosova afro një milion shqiptarë dhe vranë rreth 10 mijë civilë, veç pse qenë shqiptarë, sikurse Dua. Ikjet nga forcat serbe në kryeqytet, në “trailer”, vijnë si një dramë rinore. Mbyllja në shtëpi në kohë bombardimesh është njëfarë teatri kamertal që zhvillohet me skenar të atypëratyshëm. Ekipi i filmit është shpresëplotë. Vetë selektimi për ta pasur premierën botërore në një ngjarje kaq të madhe është sukses që flet zëshëm.
“Pritjet janë shumë të mira dhe jemi shumë të lumtur që do të jemi pjesë e Cannes, në ‘Semaine de la Critique’. Ky është një moment i rëndësishëm për ne dhe për të gjithë ekipin”, ka thënë producenti i filmit, Valon Bajgora. Ka treguar se, në prag të nisjes për në Cannes, atmosfera është shumë pozitive dhe ekipi është plot emocion dhe krenari.
“Sa i përket agjendës, do të kemi premierën gala të mërkurën në orën 17:30, si dhe takime me media dhe profesionistë të industrisë, duke krijuar mundësi të mira për bashkëpunime të reja”, ka thënë ai.
Filmi do të shfaqet të mërkurën po ashtu paradite dhe edhe të enjten.
“Besojmë se filmi do të ketë një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm në festivale dhe në kinema në të gjithë botën”, ka thënë Bajgora.
Me regji të Blerta Bashollit dhe skenar të saj në bashkëpunim me Nicole Borgeat, “Dua” është bashkëprodhim midis Kosovës, Zvicrës e Francës.
“Ndërsa lufta afrohet dhe tensionet etnike përshkallëzohen, 13-vjeçarja Dua përpiqet të gjejë vendin e saj mes bashkëmoshatarëve dhe brenda trupit të saj që po ndryshon. Pas një incidenti që trondit komunitetin e saj, ajo vetë bëhet shënjestër dhe lidhet me një vajzë të guximshme, Maki, e cila e tërheq drejt një forme të papritur rezistence. Mes dhunës së përditshme dhe kërcënimit në rritje të mërgimit, ka pak hapësirë për zgjime të qeta”, shkruhet në përshkrimin që i bën filmit “Java e Kritikës”.
Me kastin e aktorëve, ku midis të tjerëve bëjnë pjesë Arben Bajraktaraj, Pinea Matoshi, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu e Mila Savic, “Dua” do ta fusë publikun në “lëkurën” e një adoleshenteje që, e rrethuar me lajme të tmerrshme të luftës, ka dilemat e saj, pasigurinë dhe frikën me të cilën përballet sikurse çdo njeri. Filmi është shumë personal dhe bazohet në përvojën e vetë regjisores. Basholli edhe kësaj radhe ka në qendër ndjeshmërinë njerëzore. Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka nga “Ikonë Studio”, ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga “Alva Film” në Zvicër dhe Amaury Ovise nga “Kazak Productions” në Francë.
Filmi, pos Qendrës Kinematografike të Kosovës, është përkrahur edhe nga “Centre National du Cinéma et de l’Image Animée”, “Office Fédéral de la Culture”, “ARTE Cinema”, “Eurimages”, “SRF - Schweizer Radio und Fernsehen” dhe “Cineforom”.
“Java e Kritikës”, si seksion paralel i Festivalit të Cannes, është themeluar në vitin 1962 nga Unioni Francez i Kritikëve të Filmit. Java fokusohet në zbulimin e talenteve të reja, duke prezantuar filma të parë dhe të dytë artistikë të autorëve nga e mbarë bota. Regjisorë si Jacques Audiard, Alejandro González Iñárritu, Ken Loach, François Ozon, Wong Kar-wai apo, në vitet më të fundit, César Augusto Acevedo, Julia Ducournau, David Robert Mitchell, Santiago Mitre, Jeff Nichols e Rebecca Zlotowski janë zbuluar nga “La Semaine de la Critique”.
“La Semaine de la Critique” materializon çdo vit rolin e saj si zbuluese talentesh përmes një përzgjedhjeje prej 13 filmash të shkurtër dhe 11 filmash artistikë që prezantohen gjatë Festivalit të Filmit në Cannes.
Filmi i Bashollit është në konkurrencë me “The Station”, bashkëprodhim midis Jemenit, Jordanisë, Francës e disa vendeve të tjera nën regji të Sara Ishaq; me “La Gradiva”, bashkëprodhim francezo-italian nën regji të Maëva Atlan; “A Girl Unknown”, bashkëprodhim kinezo-francez nën regji të Zoi Jung; “Seis meses en el edificio rosa con azul”, bashkëprodhim midis Meksikës, Danimarkës e Brazilit nën regji të Bruno Santamaria Razo; “Tin Castle”, bashkëprodhim irlandezo-francez nën regji të Alexander Murphy; dhe “Alive”, prodhim francez nën regji të Aina Cloet. Katër filma të tjerë janë jashtë konkurrencës dhe do të kenë “Special Screenings”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Cannes edhe sivjet në edicionin e 79-të sjell filma nga e mbarë bota, midis tyre edhe nga emra tejet të dëshmuar në këtë art. Në listë janë filma të rinj nga regjisori polak, Paweł Pawlikowski, regjisori dhe skenaristi japonez Ryusuke Hamaguchi dhe spanjolli Pedro Almodóvar. Regjisori rus, Andrey Zvyagintsev, rikthehet në garën e festivalit me filmin “Minotaur”. Gjithashtu rikthehet edhe regjisori japonez Hirokazu Kore-eda, drama e të cilit “Shoplifters” fitoi “Palmën e Artë” në vitin 2018. Ai do të prezantojë filmin e ri fantastiko-shkencor “Sheep in the Box”.
Filma të tjerë në garë përfshijnë vepra nga Asghar Farhadi, Lukas Dhont dhe László Nemes. I vetmi film amerikan që konkurron për çmimin kryesor të festivalit është “The Man I Love” i Ira Sachs, një histori që zhvillohet në New York gjatë krizës së SIDA-s në vitet ’80, e që për protagonist ka aktorin e njohur Rami Malek. Megjithëse fillimisht nuk ishte shpallur si pjesë e garës së festivalit, drama më e re e James Gray, “Paper Tiger”, u shtua më vonë në listë. Dy regjisorë të njohur amerikanë do të prezantojnë dokumentarë në programet speciale të festivalit: Steven Soderbergh me “John Lennon: The Last Interview” dhe Ron Howard me “Avedon”, një rrëfim për fotografin Richard Avedon.
Në krye të jurisë që do të vendosë fituesin e “Palmës së Artë” sivjet është regjisori koreano-jugor Park Chan-wook. Anëtarë të jurisë janë edhe Demi Moore, Chloé Zhao dhe Stellan Skarsgård.
Festivali do të hapet me filmin francez të viteve ’20, “The Electric Kiss”. Në ceremoninë hapëse, Cannes e nderon gjithashtu me një çmim special “Palma e Artë” regjisorin e shquar Peter Jackson. Më vonë gjatë festivalit edhe Barbra Streisand do të nderohet me të njëjtin çmim.