Në tenderin për pajisje mjekësore nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, kompania “MediHealth” dyshohet se ka ofertuar me certifikata të rreme. Këto pretendime i kanë ngritur operatorët e tjerë pjesëmarrës. Edhe prodhuesit nga Italia dhe Kina kanë mohuar t’i kenë lëshuar certifikatat, e kompania “Medihealth” është arsyetuar se është viktimë në këta rast
Kompania “MediHealth” është akuzuar nga disa operatorë ekonomikë se ka ofertuar me certifikata të falsifikuara në tenderin për furnizim me pajisje mjekësore për nevojat e njësive përbërëse të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Ndaj kësaj kompanie është duke u zhvilluar edhe një hetim tjetër për falsifikim dokumentesh nga Prokuroria lidhur me një tjetër tender, atë për pajisje të hemodializës.
“MediHealth” është një nga kompanitë që ka fituar më së shumti tenderë nga ShSKUK-ja.
Në tenderin për furnizim me pajisje mjekësore, me vlerë rreth 244 mijë euro, fitues është shpallur operatori ekonomik “KoMed”.
Sipas pretendimeve të “KoMed”, për produktet defibrilator e disa të tjerë, “MediHealth” ka ofertuar me prodhuesit “Ari Medical” nga Kina dhe “ECM Srl” nga Italia.
Një nga kërkesat kryesore të këtij tenderi ishte që pajisjet e ofertuara të ishin të certifikuara sipas standardeve evropiane të sigurisë.
Në certifikatat e dorëzuara nga “MediHealth” për prodhuesin “Ari Medical” figuron data e lëshimit 31 mars, me vlefshmëri deri më 30 mars 2027. Të njëjtat data vlefshmërie figurojnë edhe në certifikatat për prodhuesin italian “ECM Srl”.
Por në përgjigjet e siguruara nga KOHA nga të dy këta prodhues thuhet se certifikatat e paraqitura nga “MediHealth” nuk janë lëshuar prej tyre.
“Certifikatat janë të falsifikuara. Përdorimi i tyre është i ndaluar dhe i dënueshëm me ligj. Ju lutemi të na komunikoni emrin dhe detajet e kontaktit të organizatës/personit që i ofron ato”, thuhet në përgjigjen e “ECM Srl”, të siguruar nga KOHA.
Njëjtë kanë thënë edhe nga kompania Ari Medical”.
“Faleminderit për emailin tuaj. A mund të na tregoni se ku i keni marrë këto certifikata? Vetëm për sqarim, ne nuk i kemi dërguar kurrë më parë këto certifikata në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.
Pavarësisht këtyre përgjigjeve nga prodhuesit, operatori “MediHealth” i ka mohuar pretendimet, duke deklaruar se në këtë tender ka qenë në konsorcium me një kompani tjetër.
“Në kuadër të ofertës, ne kemi dorëzuar vetëm dokumentacionin dhe certifikatat që i përkasin kompanisë sonë (Certifikatën e Biznesit, Licencën e Veprimtarisë, Certifikatën e TVSH-së). Pjesën tjetër të dokumentacionit dhe dorëzimin e të gjithë ofertës e ka përgatitur dhe dorëzuar lideri i konzorciumit, kompania Greemed nga Shqipëria”, thuhet në përgjigjen e “MediHealth”.
Po ashtu, kjo kompani në një përgjigje ndaj kërkesës së Autoritetit Kontraktues ka pretenduar se ajo është viktimë e mashtrimit në këtë rast.
Nga “KoMed” kanë deklaruar se SHSKUK-ja është njoftuar menjëherë për këto dyshime dhe se i është kërkuar që “MediHealth” të mos eliminohet vetëm për mospërmbushje të specifikave teknike, por të rishqyrtohet vendimi dhe operatori të eliminohet për falsifikim dhe mashtrim në prokurim.
“ShSKUK-ja është njoftuar menjëherë dhe e ka konfirmuar vetë këtë falsifikim. Na është thënë se rasti është adresuar në OSHP, me kërkesë që ky operator të futet në listë të zezë. Kjo na është komunikuar rreth pesë javë më parë”, thuhet në përgjigjen e “Komed”.
Edhe nga kompania “Meditech” kanë deklaruar për KOHËN se pjesëmarrja e “MediHealth” në këtë tender me dokumente të falsifikuara ka qenë e lehtë për t’u vërtetuar.
“Ka qenë shumë e lehtë, sepse është verifikuar vetëm te notification body nëse këto certifikata janë të tyre, dhe ata kanë konfirmuar se nuk janë. Kjo përgjigje i është kthyer edhe ShSKUK-së. Certifikatat janë të falsifikuara këtë nuk e kemi thënë ne, por e ka thënë notification body. Me sa e di, çështja ndodhet edhe në OSHP”, thuhet në përgjigjen e “Meditech”.
Megjithëse SHSKUK-ja ia ka komunikuar “KoMed”-it para rreth pesë javësh se rasti është dërguar në OSHP, ky institucion ditë më parë ka vendosur ta lërë në fuqi vendimin e SHSKUK-së për shpalljen e “MediHealth” si fitues në tenderin për pajisje të hemodializës, duke e hapur rrugën për nënshkrimin e kontratës.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit lidhur me këtë rast dhe nëse ka pranuar ndonjë kërkesë nga SHSKUK-ja për futjen e këtij operatori në listë të zezë, por tash e një javë nuk ka marrë përgjigje.
"MediHealth” edhe para katër javësh ka fituar tender, të dytin emergjent për material shpenzues të hemodializës.