Arbëri

“Medicomi” e padit SHSKUK-në për ndërprerje të kontratës së hemodializës

SHSKUK-ja është paditur nga kompania “Medicom”, për shkak të “ndërprerjes së njëanshme” të kontratën emergjente për furnizim me materiale të hemodializës, vetëm pesë ditë pas nënshkrimit të saj. Drejtues të kompanisë “Medicomit” kanë thënë se do ta kërkojnë pezullimin e vendimit për ndërprerjen e kontratës, pasi që kanë pretenduar se në këtë rast SHSKUK-ja e ka shkelur ligjin

Kompania “Medicom” e ka paditur Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) për shkak “të ndërprerjes së njëanshme” të kontratës në tenderin për furnizim me material shpenzuese për hemodializë.

Avokati i kompanisë “Medicom”, Kushtrim Palushi, ka deklaruar se në padi është argumentuar që edhe në rast se kompania ka pasur vonesa në furnizim, SHSKUK-ja fillimisht është dashur që t’i aplikojë masat ndëshkuese dhe jo që ta ndërpresë menjëherë kontratën.

“Sipas kontratës dhe legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, para ndërprerjes së kontratës, SHSKUK ishte e detyruar: (1) të aplikonte penalitetet për vonesa deri në 10% të vlerës së kontratës (nëse do të kishte vonesa); (2) të vlerësonte arsyet objektive për zgjatjen e afatit; (3) të dëshmonte gjendje të mirëfilltë emergjente për furnizim. Asnjë nga këto procedura nuk është respektuar”, thuhet në padinë e “Medicomit”.

Drejtues të kësaj kompanie kanë thënë se do të kërkojnë edhe pezullimin e vendimit për ndërprerjen e kontratës, nën pretendimin se SHSKUK-ja e ka shkelur ligjin.

“’Medicom’ do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë të parashikuar me ligj, përfshirë: (1) inicimin e kërkesë-padisë dhe propozimin për masë sigurie, për pezullimin e vendimit për ndërprerje, detyrimin e SHSKUK-së për respektim të kontratës ose kompensimin e dëmit material e jomaterial; (2) ndërmarrjen e hapave për të parandaluar procedura të reja furnizimi me kushte të dëmshme për buxhetin publik; dhe (3) kallëzim penal ndaj personave përgjegjës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim në prokurim publik”, kanë thënë drejtues të “Medicomit”.

Tenderi i rregullt për furnizim me materiale të hemodializës ka mbetur i bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSH), pas ankesave të operatorëve ekonomikë. Për këtë arsye, SHSKUK-ja ka hapur tender emergjent në vlerë prej 479 mijë e 532 eurove, e në të cilën fituese është shpallur më 6 nëntor kompania “Medicom”.

Pas shpalljes fituese, “Medicom” ka pasur vetëm një ditë kohë për ta bërë dorëzimin e materialeve. Sipas SHSKUK-së, kompania nuk u është përmbajtur kushteve të kontratës dhe pesë ditë më vonë është marrë vendimi për ndërprerjen e saj.

E pasi që e ndërprerë kontratën me “Medicomin”, SHSKUK-ja ka hapur procedurë të re tenderimi më 12 nëntor, kontrata për të cilën është nënshkruar me kompaninë e vetme që ka marrë pjesë në tender, “MediHealth”.

KOHA ka raportuar më herët për zhvillimet rreth këtyre tenderëve, si dhe për mungesat e materialeve me të cilat janë përballur Qendra Klinike e Universitare (QKUK) dhe spitalet rajonale.

KOHA ka dërguar pyetje në SHSKUK lidhur me këtë padi të kompanisë “Medicom”, për të pyetur nëse janë në dijeni dhe se cili është qëndrimi i tyre, mirëpo që nga e hëna nuk ka marrë përgjigje.
Pyetje janë dërguar të hënën edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, porse as nga ky institucion nuk janë dhënë përgjigje.