Lëvizja Vetëvendosje, dega në Lipjan, ka publikuar listën e kandidatëve për asamble me të cilën do të garojë në zgjedhjet e 17 tetorit dhe në të janë disa zyrtarë që kanë aderuar nga LDK-ja dhe subjekte të tjera.
Listës së LVV-së në Lipjan i është bashkuar edhe ish-kandidatja për deputete në zgjedhjet e 14 shkurtit nga radhët e LDK-së, Kaltrina Demiri. Po ashtu kësaj liste i është bashkuar edhe Elmi Qeriqi, ish-kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin Krojmir. Asnjëri nuk kanë pranuar të japin sqarime rreth largimit nga LDK-ja.
Adnan Rrustemi, koordinator i qendrës së LVV-së në Lipjan, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës, ka thënë se lista është gjithëpërfshirëse.
Ai ka sqaruar se këto zgjedhje i shohin si mundësi për t'i dhënë Lipjanit, sipas tij, një qeverisje me frymë tjetër e dinamikë shumë më të shpejtë drejt zhvillimit ekonomik lokal.
"Lista jonë është gjithpërfshirëse. Ne synojmë t'i ofrojmë Lipjanit një qeverisje të ndershme e me profesionistë që i trajton qytetarët pa dallime partiake. Natyrisht edhe lista përfshinë personalitete që mund të kenë pasur bindje tjera politike. Në këtë drejtim janë katër kandidatë nga Lista Guxo, përfshi edhe znj. KALTRINA Demiri. Këto zgjedhje i shohim si një mundësi për t'i dhënë Lipjanit një qeverisje me një frymë tjetër e dinamikë shumë më të shpejtë drejt zhvillimit ekonimik lokal. Ashtu siç është lista gjithpërfshirëse, edhe ekzekutivi do të përfshijë djem e vajzat më të zotë të Lipjanit, profesionistë të fushave", tha Rrustemi.