Banorët e disa fshatrave dhe lagjeve në Lipjan po përballen me telashe nga deponitë për të cilat kanë kërkuar masa nga institucionet. Ndërkaq nga Komuna kanë thënë se kanë kryer pastrime ndër vite, por kanë fajësuar vetë qytetarët e lokaliteteve për formimin e deponive.
Sipas zyrtarëve komunalë, janë shpërndarë shporta për mbeturina për secilën familje, ndërsa do të lirohen nga pagesa ato skamnore. Çështja e deponive ilegale ka nxitur debat edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për ta parandaluar dukurinë negative.
“Këdo qe e takoni duke hedhur mbeturina duhet ta ndaloni dhe t’i tregoni se nuk duhet ta ndotim ambientin. E kemi vështirë t’i rrimë gati secilit qytetar që hedh mbeturina. Ne si komunë disa herë i kemi larguar deponitë pa leje dhe do të zhvillojmë prapë aktivitete të tjera gjatë ditës, por do ta kemi vështirë t’i mirëmbajmë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, familjet skamnore nuk do t’i paguajnë faturat për mbeturina, ndërkohë Komuna, pa pagesë, ua ka dërguar edhe shportat te dera e shtëpisë.
“Secilës familje ua kemi dërguar nga një shportë në mënyrë që ata vërtetë mos të hedhin mbeturina vend e pa vend. Kompanisë ‘Pastrimi’ i kemi kërkuar që ato familje që janë në listë të asistencës sociale dhe që nuk e kanë gjendjen e mirë ekonomike le të evidentohen dhe le t’i marrin shportat, pastaj komuna do to marrë për obligim ta subvencionojë këtë pagesë të asistencës sociale. Pra, ne nuk po kërkojmë prej familjeve me gjendje të rëndë ekonomike të paguajnë për mbeturina, por së paku familjet që kanë mundësi t’i bëjnë pagesat dhe mos të hedhin mbeturina vend e pa vend”, ka thënë Ahmeti.
Bashkim Budakova, banor nga fshati Rubovc, njëherësh kuvendar nga radhët e AAK-së, ka thënë se në rrugën kryesore janë krijuar disa deponi të cilat po e ndotin ambientin.
“Përgjatë rrugës kryesore Lipjan-Rubovc, janë krijuar disa deponi të cilat përveçse po e vështirësojnë qarkullimin e qytetarëve, së fundi po paraqitet një kundërmim i madh përgjatë asaj rruge. Mendoj se inspektorati dhe Policia duhet të angazhohen më shumë rreth kësaj çështje”, ka thënë Budakova.
Ndërkaq, Qerim Hasani, nga fshati Shalë, ka thënë se duhet të merren masa nga inspektorati për ta parandaluar këtë dukuri.
“Vetë banorët po i krijojnë këto deponi, por mendoj se duhet të ndëshkohen ata sa herë që inspektorët i vërejnë apo e pranojnë ndonjë foto nga qytetarët. Kjo dukuri mund të parandalohet vetëm me ndëshkime, prandaj institucionet duhet të angazhohen më shumë rreth kësaj çështje”, ka thënë ai.
Ndërkohë, gjatë vikendit banorët e fshatit Banullë, janë mobilizuar për ta pastruar fshatin e tyre.
“E kemi parë të arsyeshme që ta pastrojmë fshatin dhe mendoj që aktivitete të tilla duhet të organizojnë edhe kuvendarët e tjerë me banorët në secilin fshat. Mendoj se me një komunikim më të sinqertë dhe bashkëpunim me qytetarët, të cilët duhet të jenë sa më aktiv për çështjet e komunitetit ku jetojnë, mund të bëhen shumë punë të mira në kuadër të kompetencave komunale”, ka thënë Arsim Jashari, banor nga fshati Banullë, njëherësh kuvendar nga radhët e PDK-së.