Avokati Arbër Jashari ka thënë se vendimin e Gjykatës Supremes për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale, ministrat në detyrë që janë deputetë do duhej ta merrnin parasysh.
Më 15 korrik, Supremja konstatoi se nga momenti i certifikimit të rezultatit zgjedhor, ministrat që kanë marrë post deputeti nuk mund të marrin vendime. Mbi bazën e këtij interpretimi, ajo ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për arkat fiskale të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Sipas aktgjykimit të Supremes, e vetmja çështje që prodhon efekt juridik është anulimi i udhëzimit administrativ për arkat fiskale. Sa i përket mandatit të deputetëve, nuk ka vendim konkret – vetëm një arsyetim moral që mund të shërbejë si referencë”, ka thënë Jashari në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai theksoi se pas betimit, personat janë ligjërisht deputetë dhe se kjo është konfirmuar edhe nga fakti që një grup prej 10 deputetësh ka mundur të dërgojë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Jashari shtoi se aktgjykimi nuk ka pasoja penale për ministrat në detyrë, porse moralisht duhej të merrej parasysh.
“Moralshëm, një ministër që është edhe deputet duhet ta marrë parasysh këtë arsyetim të Supremes, por juridikisht nuk ka ndalim. Kjo është më shumë një betejë politike sesa një çështje penale”, shtoi avokati.
Ai theksoi se është shumë e vështirë të provohet që ndonjë vepër penale është kryer nga ministrat në detyrë përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre.
“Gjykata Kushtetuese do duhej ta sqaronte më qartë këtë çështje, ndërsa Supremja ka dhënë vetëm një interpretim sipërfaqësor”, theksoi Jashari.
Në fund, avokati kritikoi qasjen e Qeverisë në detyrë që kritikoi vendimin e Supremes, duke thënë se duhet mësuar që vendimet e gjykatave të respektohen. Po ashtu, ai ka shtuar se edhe kundërpërgjigja e Supremes “ndoshta nuk ishte e nevojshme”.