Forcat ukrainase kanë goditur një tubacion të rëndësishëm karburanti në rajonin e Moskës, i cili furnizon ushtrinë ruse, tha të shtunën inteligjenca ushtarake e Ukrainës (HUR). Lajmi u dha në një kohë kur Rusia po zhvillon sulme të mëdha me dronë dhe raketa kundër sistemit energjetik të Ukrainës.
Sipas deklaratës së HUR-it në rrjetin Telegram, operacioni u krye mbrëmjen e së premtes. Inteligjenca ukrainase e quajti sulmin një “goditje serioze” ndaj logjistikës ushtarake të Rusisë.
Ushtarët ukrainas thanë se kishin goditur tubacionin Koltsevoy, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë dhe që dërgon benzinë, naftë dhe karburant avioni nga rafineritë në Ryazan, Nizhny Novgorod dhe Moskë drejt forcave ruse, raporton AP.
Sipas HUR-it, cak ishte infrastruktura pranë rajonit Ramensky, dhe nga sulmi u shkatërruan të tre linjat e karburantit. Tubacioni kishte kapacitet për të transportuar deri në 3 milionë tonë karburant avioni, 2.8 milionë tonë naftë dhe 1.6 milionë tonë benzinë në vit.
“Këto goditje kanë pasur më shumë efekt se sanksionet”, tha Kyrylo Budanov, kreu i HUR-it, duke iu referuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.
Ndërkohë, në Ukrainën jugore, një civil u vra dhe 15 persona u plagosën, përfshirë edhe një fëmijë, pasi Rusia goditi rajonin Mykolaiv me një raketë balistike Iskander të shtunën në mëngjes, tha zyrtari lokal Vitaliy Kim.
Një tjetër sulm rus herët në mëngjes shkaktoi zjarr në një fabrikë gazi në rajonin qendror Poltava, njoftoi shërbimi ukrainas i emergjencave.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 223 dronë gjatë natës, prej të cilëve 206 u rrëzuan. 17 dronë goditën objektiva në shtatë rajone të ndryshme të vendit.
Në rajonin Chernihiv, një tjetër sulm rus goditi një ndërmarrje bujqësore, duke plagosur një grua 66-vjeçare, njoftoi zyrtari rajonal Viacheslav në Telegram.
Në tërësi, autoritetet në Kiev thanë se Rusia po vazhdon “terrorizmin energjetik” përmes sulmeve të përsëritura që kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona të Ukrainës gjatë kësaj jave.