Kulturë

Shqipëria në kërkim të filmit kandidat për “Oscar”

Oscar

Institucioni më i lartë i kinematografisë në Shqipëri, ka shpallur zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e kandidaturave shqiptare në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 98-të të çmimeve “Oscar”, që do të zhvillohet në vitin 2026.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka ftuar fton të gjitha shtëpitë kinematografike dhe producentët shqiptarë që të dorëzojnë filmat e tyre pranë institucionit, si pjesë e procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesit zyrtar të Shqipërisë për këtë kategori prestigjioze.

“Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 1 gusht 2025, dhe aplikimi duhet të bëhet pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, sipas kritereve dhe dokumentacionit të parashikuar”, shkruhet në thirrje.

Ndryshe, Kosova ka hapur thirrjen në fillim të javës së kaluar. Me këtë Qendra Kinematografike e Kosovës i kthehet thirrjes për propozim për “Oscar” pas dy vjetësh pa kandidat.  Më 2023, QKK-ja, pavarësisht thirrjes, s’kishte dërguar propozim, e më 2024 s’kishte as thirrje.

Tash sipas thirrjes në kategorinë për të cilën mund të bëhen propozimet “përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur –  do të shfaqen në kinema apo platformë VOD, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 tetor 2024 dhe jo më vonë se 30 shtator 2025. Aty sqarohet se gjatë periudhës kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë që konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema.

“Filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, realizojnë shfaqje publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet ‘Oscar’. Shfaqje publike jashtë kinemave konsiderohen të jenë (por jo të kufizuara në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarje DVD, shpërndarje gjatë fluturimeve ajrore, transmetime në internet etj”, shkruhet në thirrjen që është e hapur deri më 21 korrik.