Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të orës 11:00 ku parashihet konstituimi i komisioneve të përhershme, çështja e buxhetit e miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. E, ka njoftuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën për mandatarin.
Përmes një njoftimi, LDK ka thënë se nuk merr pjesë në “improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”.
LDK ka thënë se Vetëvendosja po tenton t’i përdorë institucionet e Kosovës si instrument të lojërave politike të tyre.
“Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate. LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë”, thuhet në njoftim.
Abdixhiku: LDK-ja nuk merr pjesë në seancën e parë – nesër votojmë kundër mandatarit dhe nisim përgatitjet për zgjedhje
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së thirrjes së dy seancave të Kuvendit për ditën e nesërme. Ai e ka quajtur qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje “populiste dhe të rrezikshme”, duke theksuar se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e parë të orës 11:00.
“Popullistë të rrezikshëm, të investuar në lojëra e kalkulime politike. Zvarritën tetë muaj krijimin e shumicës dhe formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me një mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka akuzuar LVV-në se po thërret seanca të minutës së fundit, pa konsultime dhe pa komunikim me subjektet e tjera politike.
“Pa asnjë konsultim, pa asnjë diskutim. LDK e refuzon këtë qasje politike dhe e lufton me gjithë qenien e vet logjikën e imponimit”, ka shtuar ai.
Kryetari i LDK-së njoftoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e parë, të cilën e quajti “shfaqje parlamentare të një pushteti në ikje”.
“Nesër nuk marrim pjesë fare në seancën e imponimit teatral të orës 11:00. Mblidhuni vet; i bëni muhabet vetes”, ka thënë Abdixhiku.
Megjithatë, Abdixhiku konfirmoi se LDK-ja do të jetë e pranishme në seancën e dytë, nga ora 14:00, ku do të votojë kundër mandatarit për formimin e qeverisë.
“Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet”, ka shkruar ai.
Ai paralajmëroi se pas kësaj, LDK-ja nis përgatitjet për zgjedhjet e reja nacionale, duke bërë thirrje për bashkim politik kundër siç tha, “një politike që e sheh shtetin si instrument lojërash”.
“Le t’i fitojmë!”, përmbylli ai.