Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër (e mërkurë) dy seanca të thirrura nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekjen për të çuar përpara procesin e formimit të Qeverisë së re, por edhe çështje të buxhetit e miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. 

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se seanca e parë në orën 11:00 do të zhvillohet për konstituimin e komisioneve të përhershme, ndërsa seanca e dytë, e cila do të mbahet në ora 14:00, është thirrur për mandatarin Glauk Konjufca.

“Agjenda së shpejti u shpërndahet të gjithë deputetëve. Të dy seancat janë thirrur me 40 nënshkrime të grupit tonë parlamentar. Por shpresojmë që në seancë, për shkak të arsyeve emergjente që prekin edhe buxhetet e komunave, të marrin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit dhe të tregojnë vullnet për t’i tejkaluar ngarkesat financiare para se të kalojmë në një votim tjetër”, ka thënë Kusari-Lila për KOHËN. 

E pyetur nëse LVV-ja ka siguruar vota shtesë, ajo theksoi se kjo pyetje duhet t’i adresohet zyrës së partisë apo vetë mandatarit.

“Është proces që është zhvilluar prej tyre”, ka thënë ajo.

Glauk Konjufca është mandatuar më 4 nëntor nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë, pasi më 26 tetor, kandidati i mëparshëm, Albin Kurti, dështoi të sigurojë votat e nevojshme.

Nëse Konjufca nuk arrin të marrë mbështetjen e nevojshme (61 vota) në seancën e nesërme, presidentja Vjosa Osmani duhet ta shpërndajë Kuvendin dhe të thërrasë zgjedhje të reja. Zgjedhjet e  parakohshme duhet të organizohen brenda 40 ditëve pas ditë së shpalljes.  

Ndërkohë, në seancën e orës 11:00, partia në pushtet synon formimin e komisioneve parlamentare që më pas të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare, ndarjet buxhetore, buxhetin për Prishtinën, Gjilanin e Zubin-Potokun dhe financimin e Radiotelevizionit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, foli për rëndësinë e zgjatjeve buxhetore. 

“Natyrisht në rast se nuk ka sukses në formimin e qeverisë, është e domosdoshme që të flasim për miratimin e zgjatjeve buxhetore. Natyrisht që është temë të cilën do ta diskutoj me partitë”, tha Osmani. 


Seancë e jashtëzakonshme

Vendi: Salla e seancave

Koha: 11:00

Rendi i ditës

1. Formimi i komisioneve parlamentare,

2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”

7.   Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

8.   Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,

9.   Çështja e financimit të RTK-së.


Seancë e jashtëzakonshme

Vendi: Salla e seancave

Koha: 14:00

Rendi i ditës

Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

VV-ja fton deputetët që të tregojnë maturi e t’i votojnë ligjet e marrëveshjet në seancën e nesërme

22 min. më parë / 18 nën 2025 19:01
LIVE: Seanca për formimin e Qeverisë së re

Photo: Driton Paçarada

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që “të tregojnë racionalitet e maturi” e të marrin pjesë në seancën e thirrur të mërkurën në ora 11:00, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje, përfshirë edhe ajo mbi ndarjet buxhetore dhe çështjen e financimit të RTK-së. 

“Lëvizja VETËVENDOSJE!, grupi i saj parlamentar, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për nesër në orën 11:00, për të trajtuar çështjet dhe sfidat që presin përpara vendin tonë. Ndër të tjera, kjo seancë përfshin tema të rëndësishme si buxheti për vitin 2026, buxheti për RTK-në dhe buxheti për disa komuna. Po ashtu, në këtë seancë pesë pika të rendit të ditës trajtojnë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej një miliard euro financim, prej tyre 90 milionë euro grant nga BE-ja. Ftojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që me racionalitet e maturi t’i përgjigjen kësaj seance dhe kësisoj të votojnë këto ligje e marrëveshje të rëndësishme, që vendi të mos përballet me sfida të tilla dhe kështu të ecim përpara”, ka shkruar VV-ja në Facebook.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00, ndërsa në atë të orës 14:00, ku do të votohet për qeverinë e propozuar nga mandatari Glauk Konjufca do të marrin pjesë. 

Vetëvendosje ka thënë se në vitin 2020 kishte votuar për buxhetin e vitit 2021, edhe pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur jokushtetuese Qeverinë Hoti. 

“Kujtojmë se në vitin 2020 Lëvizja VETËVENDOSJE! pati votuar për buxhetin e vitit 2021 edhe pasi Gjykata Kushtetuese e pati rrëzuar, shpallur jokushtetuese Qeverinë Hoti dhe vendi po shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”, ka shkruar Vetëvendosje.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja bojkotojnë seancën e orës 11:00

22 min. më parë / 18 nën 2025 19:01
kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta bojkotojnë seancën e orës 11:00 ku Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të themelohen komisionet e përhershme për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, ndarjet buxhetore e financimin e RTK-së.

Partitë e ish-opozitës po e quajnë “seancë teatrale” dhe “populliste” propozimin e LVV-së për seancën e orës 11:00.

Më herët mospjesëmarrjen e konfirmuan kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Më vonë mospjesëmarrjen e konfirmuan edhe Faton Abdullahu në emër të PDK-së e Kushtrim Xhemaili i AAK-së.

Ndërkohë, për seancën e orës 14:00 ku do të synohet formimi i qeverisë, këto parti kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe votën kundër.

Sindikata e RTK-së apel deputetëve që nesër të veprojnë me përgjegjësi

29 min. më parë / 18 nën 2025 18:55
RTK

Sindikata e Radio Televizionit të Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve që në seancën e nesërme të Kuvendit të veprojnë me përgjegjësi dhe të miratojnë zgjidhjen buxhetore për RTK-në, duke paralajmëruar se situata aktuale po rrezikon funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenien e qindra familjeve.

Në një reagim, Sindikata e Pavarur e RTK-së thekson se çështja e buxhetit të RTK-së është një temë që “tejkalon çdo debat të përditshëm politik”, duke qenë se lidhet drejtpërdrejt me vijimin e punës së institucionit dhe me pagat e mbi 700 punëtorëve, të cilët tashmë prej tre javësh nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

“Prej tre javësh, mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk e kanë marrë pagën. Kjo gjendje po cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe stabilitetin e vetë RTK-së”, thuhet në reagim.

Sindikata u bën thirrje deputetëve që nesër të reflektojnë “me maturi, seriozitet dhe përgjegjësi”, me qëllim që të sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin normal të transmetuesit publik dhe për ekzekutimin e pagave të punëtorëve.

“RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale,” paralajmëron sindikata, duke shtuar se një situatë e tillë mund të krijojë “precedent të rrezikshëm për të ardhmen”.

As PDK-ja nuk merr pjesë në seancën e orës 11:00

38 min. më parë / 18 nën 2025 18:46
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Edhe Partia Demokratike të Kosovës ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesën në seancën e orës 11:00, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të themelohen komisionet e përhershme për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, ndarjet buxhetore e financimin e RTK-së.

PDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e mandatarit që do të mbahet në orën 14:00.

Edhe LDK-ja më herët konfirmoi se nuk merr pjesën në “seancën teatrale” të orës 11:00.  

Cakolli: Po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re edhe përtej marsit

1 o. më parë / 18 nën 2025 18:21
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se thirrja e seancës me pika të rendit që përfshijnë marrëveshjet ndërkombëtare e buxhetin bie ndesh me ligjin, rendin kushtetues. Sipas tij, parashihet që fillimisht të votohet qeveria e më pas të merren vendime që krijojnë politika të reja, detyrime financiare dhe implikime ndërkombëtare. 

Sipas Cakollit, ky “nxitim” për të votuar urgjentisht buxhetin dhe marrëveshjet para skadimit të afatit për mandatarin e dytë “shpalos disa mesazhe politike”. 

“Nëse pikat e rendit të ditës për seancën e nesërme – përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, kreditë, buxhetin e shtetit, buxhetet e disa komunave dhe financimin e RTK-së – qenkan kaq jetike, pse nuk u sollën për shqyrtim më herët? Pse jo gjatë 14 ditëve të mandatarit të dytë, gjatë 10 ditëve të konsultimeve të Presidentes, apo gjatë 15 ditëve të mandatit të parë? Pse pikërisht në ditën e fundit të afatit kushtetues për formimin e Qeverisë ose shkuarjen në zgjedhje?!” ka shkruar Cakolli. 

Cakolli ka shtuar se me këto veprime Vetëvendosja tregon se ka shumë pak besim se do ta sigurojë shumicën për Qeverinë e re. 

“Së pari, duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme. Për më tepër, dështimi eventual për miratimin e pikave të nesërme do të tentohet të kapitalizohet si kartë politike gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore. Dhe së dyti, po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re funksionale edhe përtej muajit mars – kur çështjet buxhetore bëhen realisht emergjente”, ka thënë ai.

 

LDK-ja merr pjesë vetëm në seancën për formimin e qeverisë

1 o. më parë / 18 nën 2025 18:05
ldk

Photo: Driton Paçarada

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të orës 11:00 ku parashihet konstituimi i komisioneve të përhershme, çështja e buxhetit e miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. E, ka njoftuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën për mandatarin. 

Përmes një njoftimi, LDK ka thënë se nuk merr pjesë në “improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”. 

LDK ka thënë se Vetëvendosja po tenton t’i përdorë institucionet e Kosovës si instrument të lojërave politike të tyre. 

“Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate. LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë”, thuhet në njoftim.


Abdixhiku: LDK-ja nuk merr pjesë në seancën e parë – nesër votojmë kundër mandatarit dhe nisim përgatitjet për zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së thirrjes së dy seancave të Kuvendit për ditën e nesërme. Ai e ka quajtur qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje “populiste dhe të rrezikshme”, duke theksuar se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e parë të orës 11:00.

“Popullistë të rrezikshëm, të investuar në lojëra e kalkulime politike. Zvarritën tetë muaj krijimin e shumicës dhe formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me një mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka akuzuar LVV-në se po thërret seanca të minutës së fundit, pa konsultime dhe pa komunikim me subjektet e tjera politike.

“Pa asnjë konsultim, pa asnjë diskutim. LDK e refuzon këtë qasje politike dhe e lufton me gjithë qenien e vet logjikën e imponimit”, ka shtuar ai.

Kryetari i LDK-së njoftoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e parë, të cilën e quajti “shfaqje parlamentare të një pushteti në ikje”.

“Nesër nuk marrim pjesë fare në seancën e imponimit teatral të orës 11:00. Mblidhuni vet; i bëni muhabet vetes”, ka thënë Abdixhiku. 

Megjithatë, Abdixhiku konfirmoi se LDK-ja do të jetë e pranishme në seancën e dytë, nga ora 14:00, ku do të votojë kundër mandatarit për formimin e qeverisë.

“Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet”, ka shkruar ai.

Ai paralajmëroi se pas kësaj, LDK-ja nis përgatitjet për zgjedhjet e reja nacionale, duke bërë thirrje për bashkim politik kundër siç tha, “një politike që e sheh shtetin si instrument lojërash”.

“Le t’i fitojmë!”, përmbylli ai.