Mungesa e kuorumit nuk po mund të shmanget assesi në Kuvendin e Kosovës. Edhe seanca e sotme dështoi si shkak i kuorumit. Por ajo u karakterizua me një debat rreth katër orësh, ku deputetët opozitarë kanë kritikuar gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku kërkuan edhe shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari. Rezoluta e tyre nuk arriti as të dilte në votim.
Me gati 7 muaj vonesë, të mërkurën Kuvendi i Kosovës e ka trajtuar në seancë propozim-rezolutën e Partisë Demokratike për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Deputetët opozitarë patën kritika të shumta për mënyrën e menaxhimit të këtij resori nga ministrja Rozeta Hajdari, së cilës ia kërkuan edhe dorëheqjen. Por, paraprakisht ajo mori një vërejtje nga kryeparlamentari për vonesën në seancë, e cila nuk mund të fillonte pa praninë e saj.
“Ministrat duhet ta kuptojnë që duhet të jenë me kohë në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Opozita radhiti disa nga shkeljet që, sipas tyre, i ka bërë ministrja.
“Menaxhimi i Ministrisë së e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga ministrja zonja Rozeta Hajdari ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës. Një ministri që brenda një gjysmë mandati 2-vjeçar shkarkon dhe emëron 7 sekretarë permanentë do të duhej të reflektonim të gjithë ne për të ditur se çka po ndodh”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Para se ministrja të reagonte lidhur me kritikat, në krah i doli Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes. Deputetët e pushtetit bënë krahasime me qeverisjen e PAN-it.
“Si po keni mundësi t’i keni të gjitha informatat tjera, për të gjithë sektorët tjerë e nuk po i keni informatat për periudhën kur keni bashkëqeverisë. A doni t’ua rikujtoj se çka ka ndodhur me një ish-sekretar të asaj ministrie të asaj kohe, e kemi diskutuar, është zënë me drogë”, deklaroi shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Ministrja u kritikua mes tjerash nga PDK-ja edhe për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Kritika mori edhe për angazhimin e një eksperti për Planin Kombëtar Zhvillimor, i cili u pagua 1000 euro brenda ditës.
“Po, 1000 euro për 30 ditë. Ndërsa ju keni paguar 1.2 milionë për një strategji që nuk ka qenë asnjëherë e aprovuar”, u përgjigj ministrja.
Ministrja u pyet në seancë edhe për një këshilltar të sajin, i cili sipas PDK-së në punë shkon me armë.
“A është e vërtet që ka ardhur disa herë apo çdoherë me armë në punë ky këshilltar i juaji?” pyeti deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.
“Jo, vjen shefi i grupit parlamentar të partisë suaj”, u përgjigj Hajdari.
Edhe në këtë seancë pati anekdota të shkurtra e mospërmbajtje nga gjuha joparlamentare.
Rezoluta e PDK-së, me të cilën kërkohej edhe shkarkimi i ministres nuk arriti as të dilte në votim për shkak të mungesës së kuorumit.
Si pasojë u ndërpre edhe seanca pa u shqyrtuar as edhe një pikë tjetër e rendit të ditës.
Të dy seancat e kësaj jave janë ndërprerë për shkak të mungesës së deputetëve.