Arbëri

Qeveria nuk u gjen zgjidhje kundërthënieve për shkarkimin e Trdevajt

Kryeministri ende nuk i ka bërë zgjidhje sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë, Shpen Trdevaj, i cili pas shkarkimit ka fituar betejën ligjore për t’u sistemuar në një pozitë tjetër. Megjithëse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike kishte nxjerrë vendim për transferimin e tij në Departamentin e Tregtisë pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kur ishte paraqitur për t’ia nisur punën, zyrtarë të kësaj ministrie i kanë thënë se nuk kanë pozitë për të

Midis kundërthëniesh e betejash në institucionet përkatëse, Qeveria ende nuk i ka gjetur një zgjidhje rastit të zyrtarit, i cili e ka udhëhequr kupolën e sigurisë përbrenda Zyrës së Kryeministrit.

Pas marrjes së detyrës, kryeministri Albin Kurti kishte shkarkuar sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë, Shpen Trdevaj, i cili ishte zgjedhur nëpërmjet një konkursi të jashtëm nga qeveria e ish-kryeministrit Avdullah Hoti.

Shkarkimi ishte bërë me arsyetimin se zgjedhja e Trdevajt në post ka qenë e jashtëligjshme. Sipas vendimit të qeverisë, procesi i rekrutimit dhe emërimi i Trdevajt është bërë sipas legjislacionit të shfuqizuar për Shërbimin Civil, në kohën kur në fuqi ishte Ligji për zyrtarët publikë.

Pas vendimit të kryeministrit Kurti, Trdevaj ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, ku në rastin e dytë i është aprovuar pjesërisht ankesa.

Këshilli e ka lënë në fuqi vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Trdevajt, porse në të njëjtën kohë ka kërkuar sistemimin e tij në një pozitë tjetër, ekuivalente me atë të sekretarit, si dhe kompensimin e pagave të tij prej momentit të shkarkimit, më 10 nëntor 2021. Paga e Trdevajt ka qenë mbi 1 mijë euro.

Duke iu referuar një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Këshilli ka konstatuar se procedurat që janë në vazhdim e sipër, do të vazhdojnë bazuar në ligjin e ri, kur ai të hyjë në fuqi.

“Andaj mbi këtë bazë, Kolegji ka konstatuar se përveç kërkesës për inicimin e procedurës rekrutuesi, si dhe shpalljes së konkursit më datë 25.06.2020, të gjitha procedurat e tjera të rekrutimit për pozitën në të cilën ishte emëruar ankuesi, janë zhvilluar pas hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë. Të gjitha këto procedura janë zhvilluar sipas ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, andaj mbi këtë bazë konstatimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i bazuar dhe i njëjti është lënë në fuqi”, shkruan në vendimin e Këshillit të datës 28 mars 2022.

“I. APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa A.nr.82/2022 e parashtruar nga ankuesi Shpen Trdevaj me datë 02.02.2022. II. MBETET në fuqi Vendimi Nr. 04/55 i Qeverisë së Republikës së Kosovës i datës 21.01.2022, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës obligohet që ankuesit t’ia bëjë kompensimin në mënyrë retroaktive të pagave deri në momentin e zbatimit të këtij vendimi. III. OBLIGOHET Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë brenda afatit ligjor të bëjë sistemimin e ankuesit. IV. OBLIGOHET Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të kujdeset për zbatimin e këtij vendimi sipas pikës III të Dispozitivit, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të tij”, vazhdohet më tutje në vendim.

Këshilli nuk ka ofruar sqarime rreth asaj se përse e ka obliguar qeverinë që ta sistemojë Trdevajn, megjithëse e ka konfirmuar vendimin për shkarkimin.

Në përgjigje të kërkesës së Këshillit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka nxjerrë vendim më 23 prill të këtij viti që Trdevaj të emërohet në pozitën: Drejtor i Departamentit të Tregtisë pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“1. Z. Shpen Trdevaj emërohet në pozitën: Drejtor i Departamentit të Tregtisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. 2. Obligohet z. Trdevaj, brenda 5 ditëve të paraqitet te Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore e institucionit të caktuar sipas pikës 1 të këtij vendimi”, shkruan në vendimin për emërimin e Trdevajt.

Por, sipas burimeve të KOHËS, kur Trdevaj ka shkuar për t’u paraqitur në vendin e punës, atij i është thënë se nuk e ka një pozitë dhe se arsyet duhet t’i kërkojë te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike që është përgjegjëse për sistemimin e zyrtarëve, mbështetur në rregulloren përkatëse.

Zyra e Kryeministrit, por as MPB-ja nuk kanë ofruar sqarime lidhur me rastin. I kontaktuar nga KOHA, Trdevaj nuk ka pranuar që të flasë për rastin teksa ka sugjeruar që sqarimet të merren te përfaqësuesi i tij ligjor.

E pala mbrojtëse ka pretenduar se janë bërë shkelje të shumta dhe se vendimi i Këshillit, i cili konsiderohet kundërthënës, nuk është respektuar sipas afateve të vëna.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës fillimisht me një vendim e ka aprovuar ankesën tonë dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe në rivendosje në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me ato pretendimet tona ankimore në të cilat vendimi i qeverisë ka qenë absolutisht i pavlefshëm dhe i kundërligjshëm. Pas vlerësimit të ligjshmërisë të këtij vendimi, qeveria sërish e ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin. Përsëri jemi ankuar dhe Këshilli e ka aprovuar pjesërisht ankesën tonë, duke e obliguar qeverinë për kompensimin e të gjitha pagave deri në momentin e zbatimit të këtij vendimi në mënyrë retroaktive dhe e ka obliguar Ministrinë e Punëve të Brendshme që ta sistemojë në detyrat dhe përgjegjësitë e tjera në një pozitë ekuivalente”, ka thënë Mehdi Geci, avokat i Trdevajt.

“Sipas vendimit të Këshillit, organet, në këtë rast qeveria dhe MPB-ja, e kanë pasur obligim që brenda 15 ditëve ta respektojnë vendimin, por nuk e kanë bërë këtë. Ne, sipas mandatit tonë dhe ligjit e kemi njoftuar Këshillin e Pavarur për moszbatimin e vendimit. Me këtë rast kemi të bëjmë me shkelje drastike e ligjore dhe mund të themi me përgjegjësi të plotë se kemi të bëjmë edhe me shkeljen e të drejtave të njeriut që një vendim nuk zbatohet”, ka shtuar ai.

Në emër të klientit të tij, Geci ka deponuar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë propozimin për përmbarim të vendimit, teksa është njoftuar edhe Këshilli për moszbatimin e tij.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e vendit dhe kontributin e tij për stabilitetin rajonal. Ky këshill rekomandon politika dhe strategji për sigurinë, ofron informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, në mënyrë që t’i mundësojnë Qeverisë marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë.

Këshilli i Sigurisë, në koordinim me presidentin, përgatit dhe shqyrton Strategjinë e Sigurisë së Kosovës.