Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, të shtunën ka hyrë në objektin komunal pa ndonjë telashe.
Rreth orës 10:00 ai ka hyrë në komunë për të vazhduar punën, nën përcjelljen e mbrojtjes së afërt.
Megjithatë, në afërsi të komunës po qëndrojnë njësitë speciale të Kosovës, si dhe KFOR-i. Aty janë edhe tre autoblinda.
Policia po punon edhe sot në pastrimin e mbetjeve të zhavorrit e gurëve që kanë mbetur nga dje, 26 maj, kur serbët lokalë kanë protestuar për të mos lejuar hyrjen e Hetemit brenda objektit. Ata kanë zbrazur kamionët me gurë para Komunës.
Kurse, situata në komunën e Zveçanit, aktualisht raportohet se është e qetë. Forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar përreth objektit të komunës.
Sveçla shkon në Leposaviq
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkuar në Leposaviq të shtunën.
Ai ka hyrë në objektin e Komunës, ndërsa nuk ka folur për mediat.
Pritet që pasi ta takojë kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, t’u përgjigjet edhe mediave.