Arbëri

Krasniqi dyshohet se i detyroi zyrtarët për lidhje të kontratave të dëmshme

Tridhjetë ditë paraburgim i janë caktuar kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai dyshohet se në pozitë të kryeshefit ka ushtruar ndikim te zyrtarë të prokurimit për lidhjen e kontratave të dëmshme. Këto akuza i ka mohuar Krasniqi në seancën e caktimit të masës së paraburgimit. Ndërsa në KEK kanë thënë se kontrata për të cilën po dyshohet Krasniqi është anuluar në mars, pas dështimeve të operatorit ekonomik për t’i përmbushur detyrimet kontraktuale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të enjten masën e paraburgimit prej 30 ditësh për kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili është arrestuar të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale.

Krasniqi ka dalë para trupit gjykues në seancën për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është zhvilluar pa praninë e mediave dhe ka zgjatur rreth 4 orë. Pas përfundimit të saj dhe caktimit të masës, Krasniqi ka dalë nga Gjykata i prangosur dhe është përcjellë për në paraburgim.

Krasniqi është arrestuar pasi që dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

Lirim Zeka dhe Taulant Ferizi, dy avokatët e Krasniqit, nuk kanë pranuar që të flasin pas përfundimit të seancës. Por, sipas procesverbalit të seancës për caktim të masës së paraburgimit, të siguruar nga KOHA, thuhet se Krasniqi ka lidhur kontratë të dëmshme për “Riparim kapital emergjent të kaldasë, blloku A5”, me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin Sa”, me çmim rreth 3.5 milionë, duke ndryshuar kushtet e kontratës. Kjo, sipas Prokurorisë, është bërë me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik, ani se komisioni kishte rekomanduar anulimin e tij, me arsyetimin se operatori ekonomik “Litwin SA” nuk u është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues, i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta. Për këtë, i pandehuri Krasniqi kishte urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit, Ymer Dragusha, që ta nënshkruante këtë kontratë.

Prokuroria ka konstatuar se ekziston dyshimi se gjatë vitit 2022, Krasniqi në vazhdimësi ka keqpërdorur pozitën e tij.

“Duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, me datën 28 mars 2023, ka lidhur kontratë të dëmshme, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, nenin 35 par. 2.1 (iii, në emër të tenderit: “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”, përkundër rekomandimit të KRPP në bazë të të cilit tenderi duhej të rivlerësohej dhe të shpallej tender i hapur, në vlerë prej 60.000 eurosh, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës dhe përfitim të kundërligjshëm operatorit të lartpërmendur ekonomik”, thuhet në vendim.

Krahas kësaj, aty thuhet se ekziston dyshimi që gjatë së njëjtës periudhë, më 2022, në cilësinë e personit zyrtar, Krasniqi ka marrë pjesë personalisht në çështje zyrtare të prokurimit, asisoj që duke qenë në dijeni se operatori ekonomik ka interes financiar, pas nënshkrimit të kontratës me të nëpërmjet procedurës së negociuar, përfaqësuesin e saj, respektivisht Isuf Zejnën, e ka angazhuar në cilësinë e mbrojtësit për vete gjatë disa procedurave hetimore kundër tij.

Sipas procesverbalit të siguruar KOHA, Krasniqi në seancë ka deklaruar se te rasti i riparimit emergjent të bllokut A5 është e drejtë e tij, si kryeshef, që të marrë vendime me kontratë, ani se ka rekomandime të ndryshme nga komisioni.

“Sikur të mos nënshkruhej kjo kontratë, do të detyrohemi të importonim energji me çmim shumë të lartë dhe qëllimi ka qenë riparimi sa ma i shpejtë i kaldasë së bllokut A5”, ka thënë ai.

Sa i përket kontratës për angazhimin e përfaqësimit ligjor, ai ka thënë se kjo procedurë nuk është zhvilluar nga ana e tij dhe se ai vetëm e ka nënshkruar.

E në KEK të enjten kanë bërë të ditur se kontrata për riparimin e kaldajës së njësisë A5 është ndërprerë më 20 mars, pasi operatori ekonomik ka dështuar që t’i plotësojë kushtet kontraktuale, sipas kontratës së nënshkruar dhe se KEK-u nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar, meqë asnjë pagesë nuk është realizuar në favor të operatorit.