Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova pa fond për kompensim të dëmeve në të mbjella

specat e demtuar

Foto: Ministria e Bujqësisë - Facebook

Sa herë ka dëmtime në të mbjella, fermerët kërkojnë kompensime, komunat ankohen se nuk kanë para e niveli qendror shpesh mbaron punë me një premtim. Ekspertë të bujqësisë si zgjidhje e shohin themelimin e një fondi, e nga Ministria e Bujqësisë kanë ftuar fermerët që t’i sigurojnë të mbjellat e tyre

Rezana Bozhlani

Dëmtimi i të mbjellave nga reshjet e ditëve të fundit ka vënë në dukje nevojën për një mekanizëm që mbështet fermerët në çdo rast kur ata dëmtohen.

Eksperti i bujqësisë, Muzafer Luma, ka thënë se Kosova duhet urgjentisht ta krijojë një fond për mbështetjen e fermerëve në rastet kur rrezikohen prodhimet e tyre.

“Është koha e fundit që Kosova ta themelojë një fond për menaxhimin e rreziqeve në bujqësi, sepse deri më tani nuk e ka themeluar, është bazuar në kompensim vetëm me një projekt që e ka filluar para disa vjetëve rreth sigurimeve të prodhimeve bujqësore e që nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Luma.

Luma ka theksuar se në mungesë të një fondi të tillë, do të ketë probleme edhe për industrinë përpunuese.                                               

Edhe Pas dëmeve nga breshri, paralajmërohet “një qendër e paralajmërimit” për bujqit Arbëri 1 d. më parë Pas dëmeve nga breshri, paralajmërohet “një qendër e paralajmërimit” për bujqit

“Misri sillash ka qenë në kulmin e vegjetacionit të vet. Është dëmtuar tej mase ose totalisht, industria përpunuese do ta ketë shumë të vështire ngaqë fermat blegtorale do ta kenë të vështirë dhe do të rritet kostoja e tyre e sigurimit të ushqimit”, ka thënë ai. 

Nga reshjet e fundit më së shumti u dëmtuan të mbjellat në komunën e Istogut. Në Kovragë janë shkaktuar dëme në prodhimet bujqësore. Më të prekurat janë shalqiri, misri dhe specat.

Fermeri Arton Gjoci ka thënë se atij i janë shkaktuar shumë dëme, veçanërisht në shalqinj dhe kumbulla, të cilat edhe i ka kultivuar.

“Për 35 minuta e ka shkaktuar këtë dëm, duke na shkatërruar mundin e gjashtë muajve që kemi punuar. Një ditë më parë kishim filluar edhe me i dërgu në treg për shitje, por për 35 minuta u shkatërrua gjithçka. Shpenzimet janë të mëdha. Bashkë me djalin e mixhës i kemi rreth dy hektarë e 80 ar bostan, ndërsa kemi edhe një hektar me kumbulla. Edhe ato janë dëmtuar pothuajse krejt”, ka thënë Gjoci

Gjoci ka treguar se dëme ka pasur edhe në vitet e kaluara, por në përmasa më të vogla, ndërsa thotë se për to ende nuk është kompensuar.

Ai pret që këtë herë të kompensohet nga Ministria e Bujqësisë.

Një ditë pas breshrit që ka dëmtuar të mbjellat, në Kovragë të Istogut bujqit janë vizituar nga përfaqësues të Qeverisë dhe ata të Komunës.

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka thënë se vlerësimi i dëmeve ka filluar dhe pritet të përfundojë brenda shtatë ditësh.

“Qëllimi është t’u afrohemi fermerëve në këtë rast ku dëmtimet janë të rënda, e t’ju garantojmë që bashkërisht me ministrin e Bujqësisë, të cilin e falënderoj për vizitën dhe qasjen që pati, do t’ju qëndrojmë afër. Këtë e bëjmë me qëllim që të mundohemi t’i kompensojmë, e në të njëjtën kohë t’i motivojmë dhe stabilizojmë këto ekonomi familjare, të cilat nuk janë të vogla”, ka thënë Ferati

Edhe Komunat ende në pritje të kompensimeve për dëmet e viteve 2023-2024 Arbëri 8 muaj më parë Komunat ende në pritje të kompensimeve për dëmet e viteve 2023-2024

E, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, është shprehur se masat që do të merren, do të publikohen javën e  ardhshme.

“Ne do të punojmë paralelisht në dy drejtime, e para është aspekti procedural që e ndjek kryetari dhe e dyta është që me të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të Ministrisë së Bujqësisë janë bashkë me mua dhe nga java tjetër do t’i propozojmë masat se në çfarë forme mund t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë", ka thënë Muja

Muja ka shtruar nevojën që të rritet vetëdija për sigurimet bujqësore.

E nga një kompani sigurimi, e cila ofron edhe sigurim bujqësor, kanë thënë se deri më tani nuk kanë pasur kërkesa të fermerëve për t’i siguruar prodhimet e tyre bujqësore. 

Ministria e Bujqësisë të mërkurën nuk ka kthyer përgjigje nëse fermerët e dëmtuar do të kompensohen. E ata janë ankuar se nuk kanë marrë kompensim as për dëmet e vitit të kaluar.

Në shtetet e Bashkimit Evropian, të mbjellat sigurohen në mënyra të ndryshme dhe në të gjitha rastet kjo është e rregulluar.

Janë 15 shtete anëtare që mbështesin sigurimin bujqësor përmes fondeve të Politikës së Përbashkët Bujqësore. Disa vende të tjera, si Spanja dhe Austria i subvencionojnë sigurimet me fonde publike, e në të tjerat fermerët kompensohen për dëmet kur ato ndodhin. 

Nga breshri janë prekur edhe Komuna e Pejës, Klinës dhe Deçanit, por më së rëndi ajo e Istogut. E një stuhi ka përfshirë disa komuna të Kosovës, të martën, duke lënë pas edhe dëme materiale. Të tilla janë evidentuar edhe në Suharekë. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, ka publikuar disa video e fotografi që tregojnë për pullaze të rrëzuara e pemë të thyera në qytet, disa nga të cilat kanë dëmtuar edhe automjetet e parkuara. 

Për mungesë fondesh në raste fatkeqësish natyrore, të mërkurën ka folur kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Ai ka kërkuar ndihmë nga qeveria.

Edhe Muharremaj për dëmet nga stuhia: S’mund t’u ndihmojmë qytetarëve pasi s’kemi fond emergjent Arbëri 5 o. më parë Muharremaj për dëmet nga stuhia: S’mund t’u ndihmojmë qytetarëve pasi s’kemi fond emergjent

“Derisa nuk kemi fond emergjent, nuk na ka mundësuar ta kemi në buxhetin komunal, është një organ që është krijuar në nivel të qeverisë së Kosovës, është Komision Qeveritar. Ai nuk është thjesht për Suharekën, është për të gjitha Komunat e Kosovës. Ne kryejmë obligimet tona zyrtare, e bëjmë vlerësimin e dëmit, e kalojmë si lëndë në asamblenë Komunale edhe atë më protokoll, e dorëzojmë te Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës dhe presim që të kompensohen dëmet e Komunës së Suharekës”, ka thënë ai.

Kosova po përballet me mot të paqëndrueshëm që nga fillimi i javës.