Arbëri

Konjufca në Mynih flet për forcimin e Kosovës si pjesë e NATO-s

Glauk Konjufca

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, forumin më të rëndësishëm global për çështjet e sigurisë.

Nëpërmes një postimi në Facebook, Konjufca ka theksuar se pjesëmarrja e delegacionit shtetëror të Kosovës në këtë konferencë po ndodh në një moment kur rendi botëror po riformësohet. 

Sipas tij, Konferenca e Sigurisë së Mynihut ishte një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer pikëpamje me partnerët ndërkombëtarë lidhur me nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me aleatët, në përballje me sfidat rajonale dhe kontinentale të sigurisë.

“Forcimi i Kosovës si pjesë e Aleancës Perëndimore, sikurse edhe i çdo aleati veç e veç, do ta bëj aleancën veri-atlantike më të fuqishme kundrejt sfidave në këtë shekull të riformësimit gjeopolitik”, ka shkruar Konjufca.

Bashkë me të në këtë konferencë morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. 

Ky i fundit ka deklaruar se gjatë kësaj vizite u përmendën edhe raportet me Serbinë, ku sipas Maqedoncit, Kurti theksoi domosdoshmërinë e dorëzimit të Milan Radoiçiqit për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë lidhur me sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023, nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike si dhe tërheqjen e letrës së Ana Brnabiq që konteston integritetin territorial të Kosovës.