Nga reshjet e fundit kanë pësuar dëme edhe sipërfaqe të mëdha bujqësore. Drejtuesit e komunave të prekura kanë thënë se janë shkaktuar dëme të mëdha, por ende nuk e dinë saktësisht sa, pasi janë duke u vlerësuar dëmet. E në Asociacionin e Komunave thonë se mungesa e një fondi emergjent ka lënë të pakompensuar edhe dëmet nga vërshimet e viteve 2023 e 2024
Reshjet e mëdha të shiut dy ditë më parë kanë shkaktuar vërshime në disa zona të vendit.
Uji ka hyrë në shtëpi dhe bodrume, duke dëmtuar rëndë pronat e banorëve.
Por dëmet më të mëdha vlerësohet të jenë bërë në bujqësi. Sipërfaqe të tëra të mbjella në Komunën e Gjilanit dhe Vitisë janë përmbytur.
“Dëmet më të mëdha i kemi në bujqësi veçanërisht në kulturën e lakrës, e cila ka qenë në përfundim të vjeljes por megjithatë ka sipërfaqe që janë përmbytur nga ujërat dhe ato janë të dëmshme për shkak se janë të turbullta dhe që me siguri ato për përdorim më nuk bëjnë. Por megjithatë është e pamundur të bëhet regjistrimi i dëmeve në bujqësi për shkak të sipërfaqeve të cilat ende janë të mbuluara me ujë dhe disa të cilat për shkak të lagështisë nuk mund të hyjë edhe komisioni”, ka thënë Hasan Aliu, nënkryetar i Vitisë.
Në Komunën e Gjilanit “sherrin” më të madh e bënë tre lumenj.
“Uji që ka dalë nga shtrati përveçse ka vërshuar disa shtëpi, pjesën më të madhe ka vërshuar edhe fushat dhe arat sidomos lumi Morava pastaj edhe lumi i Stanishorit edhe lumi i fshatit Livoq, që kanë shkaktuar edhe dalje nga shtrati dhe dëme në kulturat bujqësore që janë të mbjella në komunën tonë”, ka thënë Bejtullah Osmani, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan.
Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se është kërkuar nga niveli qendror krijimi i një fondi emergjent lokal që do të mbulonte dëmet nga fatkeqësitë natyrore por, sipas tij, nuk është shprehur gatishmëri.
“Ne si asociacion kemi kërkuar dhe ende kërkojmë të kemi një vijë buxhetore, e cila i mbulon dëmet në nivelin lokal nga fatkeqësitë natyrore dhe kemi quajtur si fond emergjent lokal për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Mirëpo niveli qendror nuk ka treguar asnjë gatishmëri për krijimin e një vije buxhetore”, ka thënë ai.
Sipas tij, komunat e prekura nga vërshimet e viteve 2023 dhe 2024 nuk janë kompensuar ende plotësisht.
“Për shembull në Komunën e Skenderajt derisa kam informata sa kam qenë në komunikim me kryetarin, bizneset ende nuk janë kompensuar. Ka ende probleme nga dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, nuk janë kompensuar ato dëme apo nuk ka renovim të dëmeve të shkaktuara në infrastrukturat, mirëpo edhe bujqit në Komunën e Rahovecit dhe komuna të tjera nuk janë kompensuar”, ka thënë Ibrahimi.
Autoritetet komunale në atë kohë patën krijuar komisione ad-hoc për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Në komunat e Skenderajt dhe Mitrovicës dëmet e shkaktuara atëkohë vlerësohen në disa milionë euro.