Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Plot 25 lojtarë të lindur në Gjermani paraqiten për përfaqësuese të tjera

Gjermania

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjermania po bëhet gati për ndeshjen e parë në Kupë të Botës. Por njëjtë po bëhen gati edhe shumë e shumë lojtarë të lindur në Gjermani e që paraqiten në përfaqësuese të tjera në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë.

Janë plot 25 lojtarë të tillë, shkruan “Kicker” të premten.

Siç do të prisnin shumica, Turqia ka lojtarë në përbërje që kanë lindur në Gjermani. Komuniteti turk në Gjermani është shumë i madh. Janë plot pesë futbollistë të tillë. Edhe te Kroacia janë pesë lojtarë që janë të lindur në Gjermani. Kjo dëshmon ndikimin që ka futbolli gjerman, por edhe kontributin e lojtarëve me rrënjë nga vende të tjera për futbollin e Gjermanisë.

Hakan Çalhanoglu, Can Uzun, Kaan Ayhan, Kenan Yildiz e Salih Ozcan janë lojtarët e Turqisë që u lindën e u zhvilluan në Gjermani.

Futbollistët e Kroacisë të lindur në Gjermani janë: Josip Stanishiq, Igor Matanoviq, Marco Pashaliq, Marin Pongraçiq dhe Mario Pashaliq.

Bosnjë-Hercegovina ka në përbërje katër lojtarë të lindur në qytetet gjermane: Ermedin Demiroviq, Xhenis Burniq, Kerim Alajbegoviq, Sead Kolashinac.

Merchas Doski dhe Youssef Amyn janë lojtarët e Irakut të lindur në Gjermani. Dy lojtarë në këtë listë i ka edhe Tunizia: Elias Saad dhe Rani Khedira.

Ndërkohë të lindur në Gjermani janë edhe Ibrahim Maza i Algjerisë, John Yeboah i Ekuadorit, Dennis Eckert Ayensa i Iranit, Ali Al-Azaizeh i Jordanisë, Ismail Jakobs i Senegalit, Jens Castrop i Koresë së Jugut dhe Malik Tillman i SHBA-së.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë luajtur për të rinjtë e Gjermanisë dhe më pas kanë kaluar në përfaqësueset e vendeve prej nga e kanë prejardhjen. Kjo nuk do të thotë se disa prej tyre nuk do të kishin të ardhme te Gjermania, nëse do të vendosnin për përfaqësuesen e vendit ku kanë lindur. Por në të gjitha këto përfaqësuese vlerësohet se konkurrenca është më e zbehtë se në ekipin që e përfaqëson Gjermaninë.

Gjermania është në Grupin E, ndërsa ndeshjen e parë e ka ndaj Kuraçaos, të dielën nga ora 19:00.