Arbëri

Komuna e Lipjanit kritikohet se po i asfalton vetëm rrugët “e anëtarëve” të LDK-së

Banorët e fshatit Medvec të Komunës së Lipjanit po ankohen se Komuna ka nisur asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave të fshatit, por ato po asfaltohen mbi bazë të ngjyrimeve politike e familjare, duke i anashkaluar lagjet e tjera që nuk i përkasin partisë në pushet. Banorët janë ankuar se ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitet e kaluara

Banorët e disa lagjeve të fshatit Medvec të Komunës së Lipjanit ankohen se janë diskriminuar gjatë asfaltimit të rrugëve dhe rrugicave të fshatit me arsyetim se ato janë asfaltuar mbi bazë të ngjyrimeve politike e familjare.

Madje, sipas banorëve, në disa lagje janë asfaltuar edhe rrugë private.

Vezir Bajrami ka thënë se edhe në të kaluarën disa lagje janë diskriminuar në projekte të tjera, andaj ka kërkuar nga Komuna që ta vazhdojë asfaltimin e rrugës në lagjen e tyre.

Shqetësimi im kryesor është arsyeja pse jemi të diskriminuar, posaçërisht kjo lagje e cila rrugë është asfaltuar vetëm një pjesë prej 40 metrash dhe është lënë pas dore edhe pjesa tjetër e cila nuk është me gjatësi më të madhe se 50 apo 60 metra. Më duket se jemi të diskriminuar, arsyet nuk i dimë”, ka thënë Bajrami.

Banorët që kanë përfituar asfaltim të rrugëve private nuk kanë dashur të flasin.

E të tjerë banorë thonë se punimet e deritanishme në fshat janë bërë vetëm “sa për sy e faqe”.

“Siç po e shihni kjo rrugë është diku 200 deri 250 metra dhe janë të lidhura rreth 15 familje. Kjo rrugë nuk është asfaltuar derisa ka rrugë të tjera private që janë asfaltuar, por shpresojmë që Komuna do t’i marrë parasysh këto dhe do t’i realizojë në të ardhmen e afërt, përndryshe ka ankesa të shumta prej banorëve që janë diskriminuar”, ka thënë banori Alban Bajrami.

Ankesa të njëjta ka edhe Bashkim Llugiqi nga ky fshat.

“Ka njerëz që kanë ndërtuar shtëpi para 10 vjetësh dhe u është asfaltuar rruga deri aty, kurse kjo rrugë ekziston qe 70 vjet dhe është lënë në gjysmë vetëm që nuk i përkas partisë së tij. Kjo është më shkurt hakmarrje”, ka thënë ai

Me gjithë insistimin, Komuna e Lipjanit prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me shqetësimet e banorëve të këtij fshati.

Drejtori për Buxhet e Financa, Latif Ramadani, përmes telefonit ka thënë se rrugicat në pronë private në Medvec janë asfaltuar me pëlqimin e banorëve, por nuk është diskriminuar askush, sepse në fazën e dytë do të asfaltohen edhe rrugicat e tjera.

“Secili nga ne jemi familjar të dikujt, por rrugicën e vëllait tim nuk e kam asfaltuar, por edhe ajo do të asfaltohet në fazën e dytë”, ka thënë ai.

Punimet në asfaltimin e këtyre rrugëve kanë filluar muajin e kaluar.