Arbëri

Kërkohet rregullore e veçantë për trajtimin e skamnorëve në procesin e legalizimit

Procesi për legalizim të objekteve dhe shtëpive në Komunën e Ferizajt po vazhdon të zvarritet si pasojë e situatës së pandemisë.

Nga rreth 35 mijë ndërtime pa leje sa ka kjo Komunë, deri më tash janë legalizuar rreth njëmijë shtëpi të banimit.

Ndërkohë, familjet skamnore po ankohen se taksat për legalizim të shtëpive janë të papërballueshme, andaj komuna duhet të krijoi lehtësira për këtë kategori.

Por, monitoruesit e këtij procesi nga shoqëria civile kanë thënë se komuna duhet të nxjerrë një rregullore të veçantë për t’i trajtuar familjet skamnore në procesin e legalizimeve.

Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se rastet skamnore dhe ato në asistencë sociale duhet të aplikojnë në listën e pritjeve për legalizim ndërkohë institucionet publike do të vendosin se di t’i trajtojnë ato. Sipas zyrtarëve komunal, shkaku i situatës së pandemisë niveli qendror duhet ta shtyjë afatin për legalizime i cili përfundon në fund të këtij viti.

Roberta Gjergji nga Ferizaj ka thënë se nuk ka mundësi financiare ta legalizoi shtëpinë.

“Me gjithë dëshirën që kemi legalizimin e shtëpisë nuk mund ta kryejmë sepse taksat komunale janë të papërballueshme. Kërkojmë prej komunës që t’i trajtojnë këto raste pasi që legalizimi është i rëndësishëm”, ka kërkuar Gjergji.

Ndonëse ky proces është duke u monitoruar nga rrjeti i OJQ-ve “Avonet” në Ferizaj e cila ka njoftuar se procesi i legalizimeve ka stagnuar për shkak të situatës së pandemisë, ndërkohë gjatë periudhës së fundit kohore kanë pranuar dhjetëra ankesa dhe shqetësime nga familjet skamnore të cilat nuk kanë mundësi financiare t’i legalizojnë shtëpitë e tyre.

Kenan Gashi, drejtor në këtë OJQ, ka thënë se së pari procesi për legalizim duhet të shtyhet për një periudhë më të gjatë derisa komuna e ka të pamundur t’i trajtoi rreth 35 mijë ndërtime deri në fund të vitit.

“Kemi pranuar dhjetëra ankesa dhe kërkesa nga familjet skamnore të cilat nuk kanë mundësi financiare t’i paguajnë taksat e tyre për legalizim të shtëpive. Andaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë sërish nga Komuna që ta hartoi një rregullore të re për trajtimin e kësaj kategorie në procesin e legalizimit. Kjo duhet të ndodh sepse këto familje nuk kanë mundësi financiare të paguajnë taksë për këtë proces. Ndërkohë ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit duhet ta vazhdojnë afatin e legalizimeve sepse pandemia e ka rrezikuar drejtpërsëdrejti mënyrën e aplikimit dhe natyrisht kanë munguar edhe fushatat për t’i asistuar qytetarët për legalizimin e objekteve pa leje”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër Lulëzim Aliu, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, ka thënë se procesi i legalizimit ka ngecur si pasoj e pandemisë, andaj interesimi i qytetarëve është mjaftë i vogël. Sipas tij, në këtë proces më së shumti ka interesim nga ata qytetar që duan t’i rregullojnë dokumentet për të marrë ndonjë kredi bankare, ndërkaq për rastet skamnore duhet të gjendet ndonjë mënyrë që të kenë lehtësira.

“Mendoj se taksa është zgjidhja e vetme për legalizim të shtëpive. Pra, nëse qytetarët nuk i legalizojnë shtëpitë deri në afatin e përcaktuar, atëherë duhet të dënohet secili qytetar që e ka shtëpinë dhe nuk dëshiron ta legalizoi. Por ka edhe raste sociale që nuk mund ta legalizojnë për shkak të mundësive financiare por ata duhet të bëjnë kërkesë në listën e pritjeve që për shkak të telasheve financiare nuk mund ta legalizoi pronën, andaj atëherë si komunë duhet të shikohen mundësitë për t’i liruar ato”, ka sqaruar Aliu. Sipas tij, në anën tjetër ka shumë qytetar që e ka ndërtuar një shtëpi në vlerë prej 60 mijë eurosh dhe nuk e legalizon atë me 300 euro. “Këta qytetar që nuk i legalizojnë shtëpitë luksoze është shumë shqetësuese, ndërkaq, rastet sociale duhet t’i trajtojmë dhe duhet të gjenden forma të tjera që shteti t’i liroi ose janë disa rregullore për lehtësira të kategorive të ndryshme por kjo procedurë duhet të qartësohet gjatë së ardhmes”, është zotuar Aliu. Sipas tij, komuna e Ferizajt është munduar edhe nëpërmjet mediave por edhe nëpërmjet kontakteve me qytetar që procedura për legalizim është shumë e thjeshtë dhe çmimi është shumë i ulët, mirëpo sërish interesimi është i vogël. “Ekziston edhe bindja që pas ndërtimit të shtëpisë është e vështirë t’i japin qytetarët edhe 200 apo 300 euro për legalizim, por duhet patjetër të bëhet legalizimi sepse ligji vlen deri në fund të vitit 2021, pastaj pasojat mund të jenë më të mëdha nëse nuk kryhet legalizimit. Secila shtëpi që gjendet në fshat apo qytet duhet të legalizohet sepse njerëzit duhet me qenë pronar legjitim të tyre sepse ajo pronë që legalizohet është pasuri e paluajtshme, ndërkaq kur nuk i ke dokumentet e legalizimit ato prona dhe shtëpi po zhvlerësohen qoftë nga bankat apo institucionet tjera”, ka bërë me diej Aliu.

Sipas tij, Ferizaj ka rreth 35 mijë objekte pa leje, ndërkaq vetëm një mijë lëndë për legalizim janë shqyrtuar deri më tashti.