Botë

OBSH: Trupat izraelite kanë sulmuar stafin dhe depon kryesore në Gazë

obsh

Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë njoftuar të hënën se ushtria izraelite ka sulmuar stafin e saj, si dhe depon kryesore në qytetin e Deir al-Balah, duke rrezikuar vazhdueshmërinë e operacioneve në Rripin e Gazës, ka shkruar The Guardian.

Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë se stafi i depos është sulmuar tri herë, teksa bombardimet kanë shkaktuar zjarr e dëme të mëdha, por edhe rrezikim të stafit dhe familjeve të tyre.

Krahas kësaj, zyrtarët e OBSH-së kanë bërë të ditur se dy punonjës dhe dy anëtarë të familjes së tyre u ndaluan. Sipas njoftimit, tre prej tyre u liruan më vonë, ndërsa një punonjës mbetet ende në ndalim.

“Ushtria izraelite hyri në ambientet e institucionit, duke detyruar gratë dhe fëmijët të evakuohen në këmbë drejt al-Mawasit mes përleshjeve aktive. Punonjësit meshkuj dhe anëtarët e familjes së tyre u prangosën, u zhveshën, u morën në pyetje në vendngjarje dhe u kontrolluan nën kërcënimin e armëve”, thuhet në postimin e OBSH-së.

Të hënën, tanket izraelite depërtuan për herë të parë në lagjet jugore dhe lindore të qytetit të Deir al-Balah, një zonë ku burime izraelite kanë pretenduar se mund të mbahen pengjet.

Granatimet nga tanket në këtë zonë goditën disa shtëpi dhe xhami, duke lënë të vrarë të paktën tre palestinezë dhe duke plagosur disa të tjerë, sipas zyrtarëve shëndetësorë lokalë.

Në lajmërimin e saj të përditshëm, Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka pretenduar të hënën se të paktën 130 palestinezë ishin vrarë dhe më shumë se 1.000 të tjerë ishin plagosur prej të shtënave dhe sulmeve ushtarake përgjatë të gjithë territorit në 24-orët e fundit.

Të paktën 20 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

5 o. më parë / 22 kor 2025 10:46
gaza

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka njoftuar të martën se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 20 palestinezë në Rripin e Gazës, teksa Ushtria e Izraelit ka zgjeruar operacionet tokësore në qytetin qendror të Deir al-Balah, ka raportuar AFP.

Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal, ka thënë për AFP-në se sulmet izraelite mbi kampin al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës kanë lënë të vrarë të paktën 13 persona dhe kanë plagosur më shumë se 50 të tjerë.

Shumica dërrmuese e popullatës palestineze është shpërngulur të paktën një herë gjatë 21-muajve të konfliktit dhe se kampi al-Shati, në bregdetin mesdhetar, ka strehuar mijëra persona të zhvendosur nga veriu i enklavës.

Bassal ka bërë të ditur se dy persona të tjerë kanë humbur jetën në Deir al-Balah, ku shtabi ushtarak i Izraelit pati njoftuar se do të zgjeronte operacionet tokësore, duke urdhëruar paraprakisht evakuimin e pjesës më të madhe të zonës.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka vlerësuar se ndërmjet 50,000 dhe 80,000 njerëz po jetonin në këtë zonë, e cila deri më tani ishte konsideruar relativisht e sigurt. Rreth 30,000 prej tyre po qëndronin nëpër qendra strehimi për të zhvendosurit.

Në OCHA kanë njoftuar se pothuajse 88 për qind e të gjithë Rripit të Gazës tanimë ndodhet ose nën urdhra evakuimi, ose brenda zonave të militarizuara nga Izraeli, duke e detyruar popullsinë prej 2.4 milionë banorësh të grumbullohet në hapësira gjithnjë e më të ngushta.