Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila, ka njoftuar të martën se në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kjo parti do të garojë e vetme në gjashtë komuna.
Në konferencë për media, ajo tha se në këto gjashtë komuna Alternativa do të ketë lista për kuvende komunale.
“Në tri prej tyre do të kemi kandidatë për kryetarë të Komunave. Alternativa do të garojë me listë për asamble në komunat: Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut”, ka thënë ajo, raportoi EO.
Kusari –Lila ka shtuar se po punojnë që të shtrihen edhe në Komunën e Gjilanit dhe në atë të Ferizajt.
“Në tri nga Komunat e lartpërmendura do të kemi kandidatë për kryetarë. Të enjten do të hapim zyrën tonë në Mitrovicë. Në Mitrovicë të Jugut e mbështesin kandidatin e LVV-së për kryetar të kësaj komune, Faton Pecin, siç e mbështesim Qeverinë për veprimet në veri të vendit”, është shprehur ajo.