Arbëri

Roja thotë se një pjesë e grupit “Banjska” me një të plagosur kanë qëndruar në hotel

Banjska

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 12:10) - Rade Nedelkoviq, roje në hotelin Rasjka Banja ka dëshmuar për grupin terrorist në rastin “Banjska”.

Ai ka thënë se disa prej anëtarëve të grupit janë akomoduar në hotelin ku ai ka punuar.

Bashkë me ta, ka thënë se ka qenë edhe një person i plagosur.

“Unë të nesërmen kam shkuar në shtëpi dhe çka ka ndodhur me personin e plagosur nuk e di. Kanë shkuar në këmbë, nga asfalti në Manastir nëpër shkallë.  Shefi nuk është që më ka urdhëruar për t’i akomoduar, por më ka thënë t’ia japë dhomën nr 6. Lista ka qenë në recepcion. Lista mbetet tek ata, e kanë librin ku mbajnë evidencë të mysafirëve”, ka thënë ai.

Ka shtuar se ka qenë i detyruar t’i lëshojë se kanë qenë të armatosur dhe nuk ka guxuar t’i refuzojë.

Tutje ka deklaruar se nuk e di kush kanë qenë sepse sipas tij, kanë qenë me maska.

“Milan Radojçiqin vetëm kam dëgjuar për të dhe asnjëherë nuk e kam parë. Mendoj se vetëm njëherë ka qenë. Nëse vinte, vinte si më ndryshe. Po ai vetë e ka pranuar, çfarëdo që mendoj. Ai e ka marrë përgjegjësinë, por ka mundësi.  Kur ka ndodh sulmi, kanë ardhë të gjithë poshtë tek unë. Ju kam thanë largohuni nga dritaret se mund te ju gjuajnë. Edhe unë kam dal sa kam guxu. Kam dëgjuar gjuajtje me armë. I kam thirr në shtëpi t’i pyes se në çfarë gjendje janë.. atë natë drejtori nuk ka qenë në hotel”, ka thënë ai.

Polici dëshmon për natën kritike në Banjskë: Nuk kishim të bëjmë me një grup të thjesht kriminal

Është duke vazhduar seanca gjyqësore në rastin “Banjska”.  Para gjykatës janë sjellë të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

I pari që ka nis dëshminë e tij, është dëshmitari Halim Behramaj.

Ai ka thënë se punon si polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë.

“Rreth orës 2 përmes radiolidhjes një njësi kufitare ka njoftuar se në Banjskë është vendosur një barrikadë. Dy njësi kanë vazhduar menjëherë në atë drejtim, pas 2 minutave unë me kolegun Avni Shala, kemi vazhduar prapa tyre, nëse kanë nevojë për asistim. 500-600 metra pa shku në fshatin Banjskë, jemi taku me ta dhe vazhduam në drejtim të Banjskës. Kanë qenë tri vetura policore… pasi kemi arritur në fshatin Banjskë, ne kemi qenë 30 metra larg barrikadës(vetura jonë e treta). Jemi dalë prej veturës, policët që kanë qenë në veturën e parë kanë arritur te barrikada. Në atë moment polici Elez Peci na ka tërheq vërejtjen se mund të jetë kurth dhe kemi fillu të shpërndahemi”, ka thënë ai.

Ka shtuar se në vendin ku ka qenë barrikada ka pasur ndriçim të plotë, ndërsa në fshat errësirë totale.

“Posa kemi filluar të shpërndahemi e kemi degju një shpërthim të madh. Policët që kanë qenë më afër barrikadës, janë barikadu afër aty. Ndërsa unë dhe Avni Shala jemi barikadu prapa veturës tonë. Të njëjtën kohë, ka pasë edhe të shtëna me armë të ndryshme. E kemi kuptuar që nuk kemi të bëjmë me një grup të thjesht kriminal. Nga pozita dhe armët na ka lënë me kuptu që janë një grup i organizuar. E kam vërejt që rreshteri Afrim Bunjaku është i shtrirë në rrugë, na kemi qene 30 metra larg dhe ishte e pamundur të afrohemi. Avni Shala e ka kthy zjarrin, pasi e kishte një armë automatike”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nga fshati Izvor ka shkaur edhe një autoblinde e njësisë së reagimit të shpejt.

Ka deklaruar se ka pasur gjuajtje me armë të rënda.

Sipas tij, pozita ku kanë qenë të vendosur, i ka bërë të kuptojnë që është grup shumë i organizuar.