Arbëri

Kërkohet ndërtimi i një qendre përkujtimore për ta kujtuar eksodin në Bllacë

Foto: Koha

Është përkujtuar 24-vjetori i eksodit masiv në Bllacë, ku rreth 440 mijë shqiptarë u detyruan të shpërnguleshin nga forcat serbe. Në ceremoninë e organizuar të dielën, është bërë thirrje për Qeverinë e Kosovës e të Maqedonisë që të ndërtojnë një Qendër Memoriale për ta kujtuar të shkuarën.

Këta tre vagonë janë dëshmi për bartjen e shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga forcat serbe 24 vjet më parë.

Eksodi arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, ku rreth një milionë shqiptarë janë detyruar të shpërnguleshin, 440 mijë prej të cilëve kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës.

E të dielën në ceremoninë e organizuar me këtë rast, u shpreh nevoja për ndërtimin e një qendre përkujtimore për ta kujtuar këtë ngjarje.

Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, tha se Bllaca është vendi nga i cili buron shteti i Kosovës, teksa kritikoi institucionet.

“Ka munguar një seriozitet më i gjerë i institucioneve të Kosovës, por edhe të Maqedonisë, që kjo ide e Institutit tonë të materializohet me një Qendër shumë të rëndësishme, qendër e cila do të luante rolin kryesor në memorien e shqiptarëve”, ka thënë Aasani.

Mehmet Prishtina nga Fondacioni “Hasan Prishtina” tha se është porosi e përbashkët ndërtimi i një muzeu apo qendre për të gjithë ata që kanë kaluar në këtë vend.

“Këtu ka ndodhë lindjet, këtu kanë ndodhë martesat, këtu ka pasur edhe vdekje. Andaj është një vend i shenjtë për kombin tonë ku të gjithë ata që do ta vizitojnë në të ardhmen Kosovën e cila u cementu me lirinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Prishtina.

Eksodi i Bllacës i përngjan edhe një holokausti, u tha nga kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, i cili u shpreh i hapur për bashkëpunim për ndërtimin e qendrës.

“U kisha bërë ftesë të gjithëve sidomos edhe Qeverive dhe të Maqedonisë edhe të Kosovës, ata të cilët i prek në ndërgjegjen e tyre të investojë dhe ta marrin seriozisht që kjo Qendër duhet të jetë në nivelin mbarëkombëtar”, ka thënë Ballazhi.

Të pranishmit kanë vendosur lule në Memorialin përkujtimor “Bllaca 99” me rastin e 24-vjetorit të eksodit masiv të popullatës shqiptare.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Aktualisht, pjesë e Kompleksit Memorial “Bllaca 99” janë Muri i Kujtesës, Parku “Hasan Prishtina” dhe Treni i të zhvendosurve”.