Arbëri

Ish-minatorët e Goleshit përkujtojnë kohën e largimit të dhunshëm nga puna

Kërkesa ekzekutivit i kanë shtruar ish-minatorët e minierës së “Goleshit”, teksa përkujtojnë vitet e largimit të tyre të dhunshëm nga puna, gjatë kohës së okupimit serb. Siç kanë thënë ata, shumica prej tyre nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit, pasi që nuk arritën t’i mbushnin 15 vjet përvojë pune.

Për çdo vit, ish-minatorët e minierës së “Goleshit” takohen para këtij objekti në Magurë të Lipjanit, për ta përkujtuar kohën kur punuan bashkë.

Gjatë okupimit serb në vitet nëntëdhjetë, ata u larguan nga puna, e disa prej tyre edhe u burgosën. Këta minatorë kujtojnë edhe grevat e asaj kohe.

Në këtë 33-vjetor, ata kanë edhe një varg kërkesash për institucionet e vendit. Pasi që shumë prej tyre nuk arritën t’i mbushnin 15 vjet përvojë të punës, pensionet e tyre nuk u miratuan.

“Ne jemi larguar me dhunë nga okupatori serb, punëtorët që kanë punuar me okupatorin e kanë plotësuar stazhin, kurse ne kemi mbetur të diskriminuar edhe atëherë, por edhe tani prapë në shtetin tonë të Kosovës”, ka thënë Adil Shamolli, kryetar i Shoqatës së minatorëve në Lipjan.

“Ka minator që për një muaj nuk ka dalë në pension që është kërkuar 15 vjet përvojë para vitit 1990. Ne në atë kohë kur kemi dalë nga miniera na kanë ndjekur me burg, kemi qenë në burg pjesa më e madhe i kanë vuajtur 72 vjet burgim dhe sot Qeveria jonë na ka lënë me 125 euro”, ka thënë Faik Drenica, ish-minator.

Ndërkaq, Brahim Zogjani, ish-kryetar i minatorëve, tha se sakrificat e këtyre punëtorëve janë shumë të mëdha.

“Këta minatorë të kësaj miniere kanë refuzuar unanimisht ndryshimet kushtetuese. Janë minatorët e parë që kanë ecë deri në Prishtinë 25 kilometra për t’i paraqitur kërkesat e tyre, pastaj tubimet e nëntorit 88, grevat e shkurtit, por për të mos e zgjatur më shumë të gjithë këta punëtor janë larguar nga puna pa asnjë dokument”, ka thënë ai.

Zogaj tregoi se nga 7 mijë e 641 minatorë të Kosovës, 3 mijë e 338 prej tyre kanë qenë të dënuar me burgim.