Kulturë

“What Is Light For?” burgos tingujt intimë të pianos në kujtesë e histori

Pianisti me renome botërore, Marino Formenti, i cili ës

Pianisti me renome botërore, Marino Formenti, i cili është duke mbajtur rezidencën katërditore në këtë ish-burg, me një qasje shumë personale ndaj muzikës dhe hapësirës, njihet për performancat e tij të gjata, shpeshherë të zhvilluara si eksperienca intime për publikun, ku ndërlidh emocione të thella me heshtjen, zërin dhe ndërhyrjen spontane. Për të, muzika është një mjet i thellë i komunikimit dhe reflektimit njerëzor

Me titull “What Is Light For?”, koncerti katërditor “do ta ngjallë” ish-burgun me format e lira të performancave. Në atë që tash mbrohet si monument, në “Burgun e Idealit” do të qëndrojë në këtë hapësirë deri më 20 korrik, aty do të flejë, do të hajë, do të mirëpresë mysafirë dhe do të luajë në piano. Në hapësirën që dikur mbante të mbyllur zërin e qindra të burgosurve politikë, tani jehon tingulli i artit që flet për kujtesën, vuajtjen dhe qëndresën

Qetësia e “Burgut të Idealit” në Prishtinë është përthyer me tinguj pianistikë që kanë kapërcyer kohën dhe hapësirën. Pianisti italian që jeton në Vjenë, Marino Formenti, ka nisur interpretimin e një koncerti të improvizuar, pjesë e një rezidence artistike që lidhet ngushtë me kujtesën dhe historinë e këtij monumenti kulture, e në të njëjtin do të qëndrojë për katër ditë. Ka filluar të enjten mbrëma e në këtë hapësirë që dikur mbante të mbyllur zërin e qindra të burgosurve politikë, tani jehon tingulli i artit që flet për kujtesën, vuajtjen dhe qëndresën.

Me titull “What Is Light For?”, ky koncert katërditor “do ta ngjallë” burgun me format e lira të performancave.

Ish-burgu i Prishtinës, si monument kulture, i funksionalizuar sivjet nga organizata joqeveritare “Molla e kuqe”, është shndërruar në pikëtakim për artistë, muzikantë, ish-të burgosur politikë dhe publikun e gjerë. Që nga 2 prilli, aty janë zhvilluar aktivitete të shumta që ndërlidhen me temën e letërsisë së burgjeve dhe përjetimet individuale. Ekspozita, performanca, videoinstalacione, lexime skenike, prezantime librash dhe këngë që i përkasin kujtesës kolektive të atyre që kanë kaluar përmes sistemit represiv janë bërë pjesë e përditshmërisë së kësaj hapësire. Kjo datë lidhet ngushtë me demonstratat e vitit 1981, kur shumë protestues qenë burgosur pikërisht në këtë ndërtesë, e cila sot rimerret përmes një qasjeje artistike e njerëzore.

Një ndër ngjarjet e korrikut është prezenca e pianistit me renome botërore, Marino Formenti, i cili është duke mbajtur rezidencën katërditore në këtë ish-burg. Me një qasje shumë personale ndaj muzikës dhe hapësirës, ai njihet për performancat e tij të gjata, shpeshherë të zhvilluara si eksperienca intime për publikun, ku ndërlidh emocione të thella me heshtjen, zërin dhe ndërhyrjen spontane. Për të, muzika është një mjet i thellë i komunikimit dhe reflektimit njerëzor.

Tani është pjesë e këtij aktiviteti të organizuar nga “Molla e kuqe”, ku, siç shpjegon Mentor Berisha, drejtues i organizatës, do të jetë i pranishëm çdo ditë nga ora 11 deri në mesnatë.

“Ky është aktiviteti i radhës i korrikut me Marinon, që e kemi nderin që e kemi këtu, njëri prej pianistëve më të mëdhenj botërorë, i cili për katër ditë, prej orës 11 deri në mesnatë do të jetë prezent, do të presë vizitorë, instrumentistë, ish-të burgosur me të cilët do të diskutojë, do të marrë rrëfimet e tyre, do të ekzekutojë piano, qoftë këngë që ata i kanë kënduar gjatë kohës sa kanë qenë të burgosur, por edhe thjesht do t’u lërë hapësirë vizitorëve dhe instrumentistëve të rinj, me të cilët do të provojë dhe do të testojë muzikë të ndryshme”, ka thënë për KOHËN Berisha.

Ky bashkëpunim kulmon më 20 korrik me një koncert të Formentit, i cili do të interpretojë këngë të frymëzuara nga rrëfimet e ish-të burgosurve politikë.

“Marino ka dashur ta realizojë një rezidencë, kombinuar me një pjesë të koncertit, ku pret dhe diskuton rrëfime me ish-të burgosur, dëgjon edhe propozimet e ish-të burgosurve, të pjesës ku ata i kanë kënduar sa kanë qenë në burg dhe në mbrëmjen e 20 korrikut do të ekzekutojë pikërisht në frymën e këtyre këngëve”, ka thënë Berisha, i cili ka treguar se aktiviteti me pianistin Formenti është vetëm njëri nga të shumtët që po zhvillohen këtë sezon në hapësirën e funksionalizuar të “Burgut të Idealit”.

Në hapësirat e këtij ish-burgu, pianisti qëndronte me ndjeshmëri të thellë përballë pianos, e cila ishte vendosur në korridoret e burgut dhe dëgjonte sugjerimet e të pranishmëve për të luajtur. Nga një pjesë e Chopinit e deri te kënga e famshme “Bella Ciao”, interpretimi i këngës “Luleborë” nga aktori Afrim Muçaj nën përcjelljen e pianos, e pjesë të tjera të njohura e kanë karakterizuar natën.

Performanca e pianistit, i cili është kthyer për të interpretuar në këtë vend jo vetëm si artist, por edhe si dëshmitar emocional i historisë, ka qenë më shumë në formë të lirë, sesa duke iu përmbajtur formave tradicionale të koncerteve.

“Idenë e burgut, ta them të drejtën, e kam në mendje prej shumë vjetësh. Aspekti ekzistencial i burgut më ka interesuar më shumë sesa aspekti social i tij, ku takohesh me njerëz që janë shumë ndryshe prej teje. Ky nuk është burg i vërtetë, ka qenë burg, por pjesë e planit ka qenë që unë të rikthehem këtu e t’i takoj të burgosurit e vërtetë që janë këtu, sepse fakti që dikush ka bërë një gabim, nuk e bën atë përbindësh. Burgjet nuk i kemi shpikur për t’i shkatërruar njerëzit, i kemi ndërtuar për t’i shëruar ata dhe për t’i risjellë në shoqëri. Idealja do të ishte kjo, por zakonisht nuk ndodh kështu”, ka thënë për KOHËN pianisti italian, Marino Formenti.

Vendimi i vetëdijshëm për ta lejuar spontanitetin e hapësirës dhe njerëzve aty ka lejuar që në çdo moment të pranishmit të ndërhyjnë në performancë, ngase nuk ka pasur ndonjë plan të caktuar.

“Për sonte nuk kisha një plan të caktuar dhe kur vajzat nisën të vijnë e të luajnë, mendova me vete ‘a duhet t’i ndaloj, t’u them mjaft me kaq, tani dua unë ta luaj një pjesë’, jo për ta vënë veten para të tjerëve, por për ta realizuar një pjesë kuptimplote për secilin, por ato ishin aq të etura për të luajtur sa thashë ‘lëri, mund të kenë nevojë për atë gjë, andaj le të performojmë bashkë’. Le të jetë një lloj këmbimi, se ndoshta nesër do të jem vetëm dhe do të kem kohë të luaj mjaftueshëm, e në kohë të tjera njerëzit mund të më afrohen e të kërkojnë të luajmë bashkë”, ka shtuar ai.

Regjisori Alban Beqiraj, i cili është gjithashtu i angazhuar nga organizata në “Burgun e Idealit”, ka theksuar se ky bashkëpunim artistik ka lindur nga një miqësi dhe përvojë e mëhershme me Formentin në një teatër vjenez. Ai e sheh këtë qasje si një mënyrë për të kthyer trashëgiminë e dhimbshme në reflektim dhe art.

“Marino është një pianist që e kam njohur gjatë punës sonë të përbashkët në një teatër vjenez. Ideja fillestare ka qenë të mbërrijmë ta trajtojmë të kaluarën prej gjithë kësaj trashëgimie që e kemi, duke i përfshirë tekstet e letërkëmbimet që të burgosurit ua kanë dërguar familjes, shoqërisë, ose në forma ditarësh. Kur biseduam me Marinon, ai e mori si rezidencë, tha se ‘nuk i njoh materialet, po përpiqem të vij, të njihem gradualisht me to’, me mundësinë që vitin e ardhshëm bashkërisht me kolegët e tjerë ta sajojmë një vepër të përbashkët që të mbërrijnë të dalin në pah të gjitha këto elemente”, ka thënë Beqiraj.

Njerëzit hynin e qëndronin pak kohë, flisnin me pianistin, kërkonin të luhen pjesë, e pastaj dilnin. Nën tingujt e pianos, Avni Dalipi ka interpretuar poezinë e Lulzim Tafës “Ata më thanë ik dhe unë ika”, e cila është homazh për Srebrenicën. Aty kishte ardhur edhe pianistja e gjeneratës së re Marigona Hamiti, e cila bashkë me Belina Sadikun në këndim solo, kanë performuar dy vepra: “Back to Black” nga Amy Winehouse dhe “When a Blind Man Cries” nga “Deep Purple”. Pas këtyre, ajo ka performuar disa pjesë në piano bashkë me pianistin Formenti, për të cilat ka treguar se i kanë pëlqyer shumë.

“Në fillim u ndjeva shumë e emocionuar, sepse ishte diçka shumë e re për mua, mandej kur ia nisëm të improvizojmë bashkë, të luajmë bashkë, e pashë që ai qe shumë i hapur të improvizojë, kështu që më pëlqeu shumë. Unë studioj muzikë klasike dhe jemi të obliguar ta ndjekim partiturën, të luajmë gjithmonë saktë e improvizimi gjithmonë më ka pëlqyer, ka qenë diçka që e kam bërë, por nuk e kam bërë kurrë në publik, gjithmonë e kam bërë vetë, kur kam ushtruar ose me shoqen time kur kemi bërë ndonjë send bashkë, por jo para dikujt. Tash do të motivohem akoma më shumë për ta nxjerrë atë kreativitetin tim për improvizim”, ka thënë Marigona Hamiti.

Pianisti Marino Formenti do të qëndrojë në këtë hapësirë deri më 20 korrik, aty do të flejë, do të hajë, do të mirëpresë mysafirë dhe do të luajë në piano. Të dielën do të mbahet një performancë muzikore dhe do të ketë lexim të teksteve nga burgu.