Njohësi i sektorit të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka shprehur skepticizëm lidhur me nismën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që ka çuar në rritjen e tarifave të energjisë elektrike dhe obligimin e qindra kompanive të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Haxhimusa beson se ZRRE-ja është përkujdesur të marrë vendime brenda kuadrit ligjor.
“Besoj se ZRRE-ja është përkujdesur ta marrë vendimin karshi rregullave dhe dispozitave ligjore. Nuk do të mundej të përdorej në aspektin ligjor si arsye që është shtrenjtuar pa konstituim të Kuvendit, siç pretendon LDK-ja”, deklaroi Haxhimusa në “60” Minuta të KTV-së.
Ai megjithatë kritikoi mungesën e analizave të thella dhe bashkëpunimit institucional, duke thënë se vendimet si ky për shtrenjtimin e rrymës duhej të ishin më të koordinuara me sektorin privat dhe institucionet qeveritare përkatëse.
“ZRRE-ja ka qenë e detyruar të sigurojë stabilitetin financiar në Kosovë për me i ngrit çmimet për konsumatorë shtëpiakë, por nuk ka qenë e detyrueshme me i fut në treg të hapur kompanitë e mëdha”, theksoi ai.
Haxhimusa ka thënë se kostoja e energjisë mund të ishte shpërndarë në mënyrë më të drejtë mes të gjithë konsumatorëve dhe paralajmëroi për pasoja të mëdha për bizneset në mungesë të analizave gjithëpërfshirëse.
“Vendimet e institucioneve tona zakonisht nuk rrjedhin nga analiza të thella”, ka përfunduar ai.
LDK-ja ka ndërmarrë një iniciativë për të kundërshtuar dy vendime të ZRRE-së: një për rritjen e çmimit të rrymës për 16.1% dhe tjetrin për obligimin e mbi 1300 kompanive që nga 1 qershori të dalin në tregun e hapur të energjisë. Deputetja Hykmete Bajrami njoftoi se kërkesa për anulim do të dorëzohet të hënën.