Arbëri

Gërvalla beson se ka njerëz në LDK që do ta shtyjnë Abdixhikun të ndërrojë qëndrim ndaj VV-së

Donika Gërvalla

Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati pas dështimit të seancës

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste se ka njerëz në LDK që do ta rrisin presionin ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku që të ndërrojë qëndrim karshi LVV-së dhe të pranojë ftesat e saj për bashkëpunim.

“Dua ta besoj, brenda LDK-së dhe jashtë saj, ka ende njerëz që mendojnë përtej interesit personal, do ta rrisin presionin nga kryetarit Abdixhiku që LDK-ja të bëjë lëvizje pozitive në të mirë të Kosovës”, ka thënë Gërvalla të premten pasi dështoi përpjekja e 13-të për konstituim të Kuvendit.

Kurti i ka dërguar dy herë ftesë Abdixhikut për konsulta – por ka marrë përgjigje negative.

Në prononcim për media, Gërvalla ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më parë, duke theksuar se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç ecjes përpara me proceset institucionale.

“Është krejt i pakuptueshëm vazhdimi i kësaj bllokade. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka alternativë”, ka deklaruar Gërvalla, duke akuzuar opozitën për pengimin e qëllimshëm të formimit të institucioneve.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë sinjale të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të ecur përpara, por deri më tani nuk është arritur asnjë përparim konkret. Ajo kritikoi ashpër propozimin e LDK-së për qeveri tranzicionale, duke e quajtur “absurde” dhe “të ngjashme me rikthim në vitin 1999”.

“Kosova është një demokraci e konsoliduar evropiane. Opozita duhet t’i thërrasë mendjes dhe të mos bllokojë procese që nuk janë për t’u bllokuar”, theksoi Gërvalla.

VIDEO: Deklarata e plotë
 

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosoves

S’ka konstituim të Kuvendit as pas 13 përpjekjeve