Ka dështuar edhe përpjekja e 13-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Edhe në vazhdimin e së premtes, sikurse në katër të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces. Për kanë votuar 56 deputetë e kundër 1. Seanca e radhës është caktuar për të dielën në orën 10:00. Zhvillimet para, gjatë dhe pas seancës mund t’i lexoni këtu
Abdixhiku: Qeveria tranzicionale, ndoshta jo më e mira, por e vetmja gjithëpërfshirëse në tavolinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbrojtur idenë e partisë së tij për krijimin e një qeverie tranzicionale, duke e cilësuar si të vetmen zgjidhje gjithëpërfshirëse që është dhënë në rrethanat aktuale.
“Ndoshta nuk është ideja më e mirë, por është e vetmja gjithëpërfshirëse që gjendet në tavolinë. Nuk është çështje protagonizmi. Iniciativën mund ta marrë edhe dikush tjetër, ne kemi hedhur një ide për tejkalimin e krizës”, deklaroi Abdixhiku.
Ai kritikoi mënyrën si po zhvillohen seancat e Kuvendit, duke e krahasuar situatën me një “kasetofon të prishur”.
“U mblodhën sërish pas 48 orëve për të përsëritur të njëjtin skenar dhe për t’u tallur me një vend të tërë”, shtoi ai.
Sipas kryetarit të LDK-së, në propozimin për qeveri tranzicionale përfshihen edhe zgjedhjet, por ai theksoi se për këtë duhet dialog dhe bashkëpunim politik.
Abdixhiku konfirmoi se do të marrin pjesën kur të ftohet takimi gjithëpërfshirës nga presidentja Vjosa Osmani, duke theksuar se ftesa është vazhdimësi e idesë së LDK-së.
Gërvalla beson se ka njerëz në LDK që do ta shtyjnë Abdixhikun të ndërrojë qëndrim ndaj VV-së
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste se ka njerëz në LDK që do ta rrisin presionin ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku që të ndërrojë qëndrim karshi LVV-së dhe të pranojë ftesat e saj për bashkëpunim.
“Dua ta besoj, brenda LDK-së dhe jashtë saj, ka ende njerëz që mendojnë përtej interesit personal, do ta rrisin presionin nga kryetarit Abdixhiku që LDK-ja të bëjë lëvizje pozitive në të mirë të Kosovës”, ka thënë Gërvalla të premten pasi dështoi përpjekja e 13-të për konstituim të Kuvendit.
Kurti i ka dërguar dy herë ftesë Abdixhikut për konsulta – por ka marrë përgjigje negative.
Në prononcim për media, Gërvalla ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më parë, duke theksuar se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç ecjes përpara me proceset institucionale.
“Është krejt i pakuptueshëm vazhdimi i kësaj bllokade. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka alternativë”, ka deklaruar Gërvalla, duke akuzuar opozitën për pengimin e qëllimshëm të formimit të institucioneve.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë sinjale të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të ecur përpara, por deri më tani nuk është arritur asnjë përparim konkret. Ajo kritikoi ashpër propozimin e LDK-së për qeveri tranzicionale, duke e quajtur “absurde” dhe “të ngjashme me rikthim në vitin 1999”.
“Kosova është një demokraci e konsoliduar evropiane. Opozita duhet t’i thërrasë mendjes dhe të mos bllokojë procese që nuk janë për t’u bllokuar”, theksoi Gërvalla.
VIDEO: Deklarata e plotë
AAK-ja i ka mbledhur nënshkrimet, do ta kontestojë kërkesën e VV-së për ndryshim të mënyrës së votimit
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se i kanë mbledhur nënshkrimet dhe se do ta kontestojnë në Kushtetuese kërkesën e LVV-së për ndryshim të mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga e hapur në votim të fshehtë.
“LVV-ja po kërkon ndryshimin e mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa propozuar një emër. Kjo nuk po ndodh, kemi cungim të agjendës së fillimit dhe në për shkak të shkeljeve ligjore, se bashku me deputetë të LDK-së por edhe të PDK-së, për shkak të kërkesës për ndryshim të mënyrës së votimit në mes të procesit, ne kemi mbledhur nënshkrimet, do t’i adresohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë shkelje kushtetuese”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo ka theksuar se Gjykatës Kushtetuese do t'i drejtohen të hënën.
Këro komete Kadrijaj i ka bërë pas dështimit të konstituimit të Kuvendit për herë të 13-të.
VIDEO: Deklarata e plotë:
Bajrami: S’kemi votë për ndryshimin e votimit
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk kanë votë për mënyrën e ndryshimit të votimit për kryetare të Kuvendit.
Ajo përsëriti se nuk kanë vonë për asnjë kandidat të Vetëvendosjes.
“Dehari nuk na dha fjalën në seancë. Mundet me na ftu edhe 48 herë, çdo 48 orë, por ne nuk kemi vota për mënyrën e ndryshimit të votimit”, ka thënë ajo.
VIDEO: Deklarata e plotë
Krasniqi: Rrugëdalja është e qartë, VV-ja duhet ta ndërrojë kandidaten
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin institucional, duke theksuar se rruga për të dalë nga kriza është ndërrimi i kandidates për kryetare të Kuvendit
“Sot bëhen pothuajse tre muaj që nga zgjedhjet dhe qytetarët ende nuk kanë institucione funksionale. Verdikti i tyre po dhunohet nga Vetëvendosja”, deklaroi Krasniqi, duke akuzuar partinë fituese se po pamundëson konstituimin e institucioneve.
Ai e cilësoi situatën si “tragjikomike” dhe shtoi se zgjidhja është e thjeshtë.
“Duhet të propozohet një kandidat/e që ka shumicën e votave në Kuvend. Dihet që Albuelna Haxhiu nuk i ka dhe nuk do t’i ketë ato vota. Vetëvendosja duhet ta ndërrojë kandidaten”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi theksoi se qytetarët e kanë dhënë një mesazh të qartë në zgjedhje – se qeverisja duhet të bazohet në bashkëpunim, jo në dominimin e një partie të vetme.
Video: Deklarata e plotë
S’ka konstituim të Kuvendit as pas 13 përpjekjeve
Pas 13 përpjekjeve, deputetët të premten nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Ngërçi vazhdon të mbetet sikur në seancat e fundit – te votimi për formimin e një komisioni parlamentar për votim të fshehtë.
Kësaj radhe, për formimin e komisionit ishin 56 deputetë e një ishte kundër.
Seanca e radhës do të mbahet më 11 maj në orën 10:00.
Lushaku: VV-ja s’ka lënë hapësirë për partneritet, diskursi i saj jonormal për një parti
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar se pamundësia e sigurimit të shumicës së votave nga Vetëvendosje tregon se gjatë katër viteve të kaluara ka dhënë shembull të keq bashkëpunimi.
Ajo ka theksuar se LDK-ja e ka qëndrimin e njëjtë.
“Ka dhënë sugjerim se si të dilet nga ngërçi politik. Kjo është një shpërfaqje e një partie që ka dalë e para në zgjedhje, por nuk po arrin që ta ketë shumicën. Është e pakuptueshme qysh një parti nuk po mundet ta formojë shumicën, por kjo jep shpjegim që kjo parti gjatë katër viteve të kaluara ka dhënë shembull të keq bashkëpunimi. Nuk ka lënë hapësirë për partneritet dhe kjo duhet të shërbejë si mësim për të gjitha partitë politike, por posaçërisht për VV-në. Diskursi që është përdorur ka qenë jo i natyrshëm, jo normal për një parti politike”, është shprehur Lushaku-Sadriu./EO
Limaj kundër zgjedhjeve të reja: Kosovës i duhen urgjentisht institucionet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk është zgjidhje për krizën politike aktuale në vend, duke theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale. Sipas tij, Nismës nuk i takon përgjegjësia për formimin e institucioneve, por partive që kanë marrë përgjegjësi më të madhe.
“Momenti është për t’i thirrur përgjegjësisë. Të gjitha palët duhet ta kuptojnë se Kosova nuk e ka luksin të mbetet kështu, pa institucione. Na duhet një qeveri në punë”, ka thënë Limaj në një deklaratë për media.
VIDEO:
Ai shtoi se vendi po përballet me një situatë të rënduar ekonomike dhe se duhet ndërmarrë hapa për të lëvizur ekonominë përpara.
“Gjendja ekonomike në Kosovë s’ka qenë kurrë më keq. Duhet ta lëvizim ekonominë, jo të futemi në cikël zgjedhjesh”, theksoi ai.
Limaj kritikoi mungesën e dialogut mes partive politike dhe ka thënë se qytetarët i kanë votuar për të ndërtuar institucione, jo për të shkuar sërish në zgjedhje. Ai konfirmoi se Nisma nuk ka pranuar asnjë ftesë për bisedime, por pret që partitë të tregojnë përgjegjësi karshi votuesve.
AAK-ja do t’i çojë në Kushtetuese vendimet e Kuvendit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend, të cilat sipas tij janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Sot jemi në konsultime me PDK-në dhe LDK-në për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Haradinaj para nisjes së përpjekjes së 13-të për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se objekt i ankesës do të jenë disa vendime, përfshirë mosformimin e komisionit parlamentar për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të bazuara në procesverbalet e seancave të Kuvendit.
Sipas Haradinajt, do të kontestohen mënyra e votimit për komisionin, ndërprerja e seancave dhe moshedhja në votim e kandidates së Vetëvendosjes. Ai theksoi se këto veprime përbëjnë shkelje të rregullave parlamentare dhe të Kushtetutës.
Sa i përket ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim, kryetari i AAK-së ka thënë se varet se në çfarë formati do të mbahet e më pas do të vendosë nëse do të marrë pjesë, një nga një apo të gjithë bashkë.
Murati: Seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me votimin e Komisionit për votim të fshehtë
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pak para vazhdimit të 13-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë.
Ai ka thënë se shpreson që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecet përpara në zhbllokimin e institucioneve.
“Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar. Tani ka një bllokadë dhe barrikadim te opozita dhe insiston që të ndryshohet kandidati. Pra, që të mos respektohet e drejta kushtetuese e VV-së, në këtë rast si pari fituese e zgjedhjeve. Seanca do të vazhdoj aty ku ka mbetur, aty ku kemi mbetur është mungesa e kuorumit për vendimmarrje për të votuar Komisionin për votim të fshehtë. Është e pamundur që të dilet apo të ndryshohet nga kjo rrjedhë, sepse jemi në një situatë, ku herën e fundit sikur se dy apo tri herët më parë ka mungesë të kuorumit që po duhet të ndërpritet seanca, për shkak të kuorumit”, ka theksuar Murati. /EO