Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Bamforth po shkëlqen tek Ylli, i gatshëm të kthehet te Kosova

bamborth

Scott Bamforth është prej lojtarëve kryesorë në Superligën e Kosovës në basketboll. Ndikimi i tij i madh pritej në fakt.

Klubi suharekas, Golden Eagle Ylli, njoftoi për angazhimin e fundorit amerikan më 20 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ia erdhi në Kosovë në fillim të janarit. Nisi furishëm, me fitore ndaj Trepçës në ndeshje për Kupë. Në ndeshjen e 7 janarit në “Minatori”, Bamforth i kishte 28 pikë, katër asistime e tri kërcime.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prej atëherë vazhdon të ketë të dhëna statistikore impresive. Në Superligë po luan me 19,5 pikë, 4,3 asistime dhe 3,4 kërcime për ndeshje. Loja e suharekasve mbështetet thuajse plotësisht në Bamforthin.

Ai më herët ka luajtur për Kosovën. Ka pasaportë të Kosovës, si i natyralizuar, dhe në Superligë llogaritet vendor.

Por Ylli, edhe me Bamforthin, ka vuajtur për ecuri pozitive. Ka shënuar fitore të rëndësishme, kurse ka pësuar edhe humbje të papritura. Së fundi “ka lidhur” disa fitore në Superligë.

“Mendoj se ekipi po komponohet dhe po kemi më shumë stabilitet nga pikëpamja e lojtarëve e po ashtu e trajnerit. Në fillim, kur unë erdha këtu, në ekip janë bër shumë ndryshime kështu që ishte e vështirë për të gjithë. Por mendoj se tani po komponohemi ngadalë dhe po luajmë basketboll më të mirë”, ka thënë Bamforth në një intervistë për KOHËN.

Për basketbollistin me përvojë të gjatë e të suksesshme, e rëndësishme është që të vazhdojë të ofrojë gjëra pozitive për ekipin.

“Çdo ditë dhe në çdo ndeshje mundohem thjesht të jap diçka pozitive për ekipin. Disa ndeshje janë më të mira se të tjerat, por përveç çdo performance personale, mundohem të vazhdoj të kem ndikim pozitiv te lojtarët dhe trajnerët”.

Ai ka luajtur shumë vjet në nivelin më të lartë evropian. Në pjesën e parë të kampionatit aktual ishte në Meksikë dhe kjo ia hapi rrugën e transferimit në Kosovë. Bamforth megjithatë ka pasur oferta për t’iu bashkuar skuadrave kosovare edhe në të kaluarën.

“Gjatë gjithë karrierës kam nënshkruar kontrata për të luajtur gjithë edicionin, në Spanjë, Itali, Francë dhe vende të tjera. Por këtë edicion firmosa në Meksikë për 4/5 muaj dhe isha në gjendje të zgjedhja se ku doja të shkoja në mes të kampionatit. Kosova gjithnjë ishte në mendjen time, të vijë këtu dhe të luaj. Dhe mendova se tani është koha e duhur për të provuar këtë. Kështu që çdo gjë u përshtat që të jem pjesë e Yllit”, ka theksuar plejmejkeri me përvojë.

Ai i luajti shtatë edicione në elitën spanjolle për skuadra si Sevilla, Murcia, Bilbao e Granada. Në elitën italiane i kaloi tri edicione te Dinamo Sassari e Pesaro. Ishte edhe në Francë te Le Mansi dhe Buduqnosti i Podgoricës në Mal të Zi.

Para se t’i bashkohej Yllit, luajti për Fuerza Regia në Meksikë.

“Kur erdha tek Ylli nuk kisha pritje të caktuara. Unë vetëm mundohem ta shijoj jetën çdo ditë, pavarësisht se ku jam në botë. Jam person i thjeshtë, më pëlqen të luaj basketboll. Më pëlqen të ushtroj me pesha çdo ditë. Kështu që në çdo vend në botë që i ka këto dy gjëra unë do të jem në gjendje të gjej gëzim dhe lumturi”, thotë Bamforth.

Golden Eeagle Ylli shpreson që ta fitojë titullin e kampionit. Por, sipas Bamforthit, Trepça është favorite në garën për titull. Trepça tashmë e ka fituar Kupën e Kosovës dhe në plejof do të startojë nga pozita e parë.

“Mendoj se niveli i ligës është vërtetë solid. Mendoj se secili ekip ka stil të lojës që e dallon nga ekipet tjera dhe kjo ua mundëson lojtarëve me cilësi që të kenë paraqitje të mira. Mendoj se Trepça është favorite dhe është ekipi më i mirë në ligë. Ajo ka stil vërtetë të mirë të basketbollit dhe ka lojtarët e duhur për këtë. Kështu që mendoj se është ekipi favorit për ta fituar ligën dhe të gjitha ekipet tjera po punojnë për të gjetur mënyrën për ta mposhtur Trepçën”, thotë Bamforth.

Pikërisht të dielën nga ora 17:00, Golden Eagle Ylli e Trepça takohen në Suharekë në kuadër të xhiros së 25-të.

Ylli është në seri prej tri fitoreve dhe aktualisht e mban vendin e katërt në tabelë. Ka bilanc prej 11 fitore e 13 humbje.

Gjasat janë të mëdha që suharekasit të futen në plejof prej pozitës së katërt.

Bamforth në të kaluarën ka luajtur me sukses për Kosovën. Megjithatë nuk ka luajtur gjatë për përfaqësuese. Ai është i hapur që të luajë sërish. Në grumbullimet e fundit nuk ishte me  “Dardanët” e koshit.

“Vërtetë e kam shijuar kohën duke luajtur për ekipin nacional. Ishte përvojë që do ta kujtoj gjithnjë. Më ka mundësuar që të kem shoqëri me shumë lojtarë këtu në Kosovë, e sidomos tek Ylli. Kjo është njëra prej arsyeve që zgjodha të vijë tek Ylli. Tashmë i kam njohur disa prej lojtarëve të ekipit nga përfaqësuesja. Nuk mendoj se ky kapitull, që të luaj sërish, është i mbyllur. Unë e shijoj basketbollin dhe nëse do të ketë ndonjë mundësi për të luajtur sërish, do ta shqyrtoj me shumë vullnet”, thotë Scott Bamforth.

Ai është prej lojtarëve me karrierën më të pasur që ka luajtur në basketbollin kosovar.