Pas muajsh trajtimi në QKUK pa një diagnozë të saktë, një pacient 29-vjeçar është dërguar për trajtim në Turqi nga familja. Por, përveç betejës me një formë të rrallë të kancerit, familja po përballet edhe me refuzimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për ta mbështetur financiarisht trajtimin e tij
Një pacient 29-vjeçar po lufton me një formë të rrallë dhe agresive të kancerit të sistemit limfatik, sëmundje kjo që ia ka prekur zorrët dhe abdomenin.
Nga familja e tij thonë se pavarësisht ekzaminimeve të shumta dhe javëve të tëra të trajtimit në QKUK, diagnoza e saktë nuk i është zbuluar.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ata janë detyruar ta dërgojnë për trajtim në Turqi, ku edhe është ende i shtrirë në një prej kinikave.
"Më 18 shkurt të këtij viti, vëllai është pranuar në QKUK, së pari në Emergjencë me gjakderdhje të madhe gastrointestinale, e pastaj ka qenë i shtrirë në repartin e Gastroenterologjisë për 20 ditë. Gjatë qëndrimit të tij i janë bërë disa incizime të ndryshme (gastroskopi, kolonoskopi, Capsocam, CT etj.), por doktorët nuk erdhën në ndonjë përfundim dhe e liruan pa diagnozë. Disa ditë më vonë, më 15 mars, iu nënshtrua një operacioni urgjent për shkak se kishte perforime në zorrë", ka thënë një familjare e pacientit.
Për të përballuar shpenzimet e trajtimit, familja ka kërkuar mbështetje financiare nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Edhe
Pacientët nuk rimbursohen për barnat e shtrenjta kundër kancerit që shteti s’i siguron
Sipas familjarëve, aplikimi është dorëzuar me raportin e Komisionit Konziliar të vetë Klinikës së Hematologjisë, i nënshkruar nga tre mjekë dhe me rekomandim urgjent për trajtim jashtë vendit.
Megjithatë, Fondi ka kërkuar edhe një raport shtesë nga Klinika e Hematologjisë, ndonëse një i tillë sipas Udhëzimit Administrativ kërkohet vetëm nëse pacienti e ka.
"Në fillim të javës që shkoi ne kemi marrë Raportin e Komisionit Konziliar me specifikim 'Urgjent'. Por në Fond na kërkonin edhe një dokument tjetër nga Klinika e Hematologjisë, dokument që nuk kërkohet në udhëzim. Arianiti ka qenë i shtrirë në Gastroenterologji dhe Kirurgji, por Fondi kërkon raport nga Hematologjia, ku ai nuk ka qenë kurrë, kurse mjekët dhe vetë drejtoresha e klinikës e kanë nënshkruar raportin. Kështu Fondi refuzoi aplikimin tonë për mbështetje financiare për shërim jashtë vendit, për shkak të një dokumenti që nuk është obligativ sipas Udhëzimit", ka thënë ajo.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore e ka arsyetuar refuzimin me atë se pacienti nuk është trajtuar në Klinikën e Hematologjisë.
Sipas përgjigjes që i është kthyer familjes, ai duhet fillimisht të paraqitet në këtë klinikë për t'u vlerësuar nga specialistët e Klinikës së Hematologjisë, e që i bie të ndërpresë trajtimin në Turqi e të kthehet në Prishtinë.
Edhe
ZKA: Në 24 raste Fondi i Sigurimeve Shëndetësore lëshoi fletëzotime pa u përmbushur kriteret
"Bazuar në kriteret e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2023 dhe në komunikimin zyrtar të zhvilluar me Klinikën e Hematologjisë, përmes të cilit jemi njoftuar se pacienti nuk ka qenë i hospitalizuar dhe nuk është vizituar nga stafi i Klinikës së Hematologjisë. Gjithashtu, sipas kërkesës së klinikës, citoj: 'Bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2023, kërkojmë nga pala që të sillet pacienti në Klinikë, të vizitohet nga ana jonë, në mënyrë që të vlerësojmë gjendjen e të sëmurit dhe sipas nevojës të shkruajmë raportin tjetër Konziliar për trajtim jashtë vendit’", thuhet në përgjigjen e Fondit për familjen.
KOHA i ka nisur pyetje Fondit të Sigurimeve Shëndetësore lidhur me bazën ligjore të këtij vendimi, e të cilin po e konteston familja e pacientit, por nuk ka pranuar përgjigje.
Saktësisht, Fondi është pyetur se në cilin nen të Udhëzimit Administrativ apo në cilin akt tjetër juridik është mbështetur kërkesa për një raport nga Hematologjia,
pasi udhëzim thuhet se ky dokument dorëzohet vetëm nëse ekziston.
Ditë më parë KOHA ka raportuar se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje në funksionimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas auditimit të kryer, në mbi 20 raste Fondi ka lëshuar fletëzotime në kundërshtim me kërkesat e Udhëzimit Administrativ, ndërsa janë evidentuar edhe vonesa në shqyrtimin e kërkesave për trajtim jashtë vendit nga Bordi i Fondit.
Edhe
Një në tre persona shtyn kontrollin te mjeku pasi vëren simptoma të kancerit
Fondi është krijuar për të mbështetur pacientët të cilët nuk mund të shërohen në Kosovë.