Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ejupi: Po shitet si sukses vendosja e filterave në termocentrale që janë paraparë të instalohen në 2021-ën

Burim Ejupi

Drejtori ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi, ka thënë se përveç sigurisë energjetike, termocentrali për gaz amerikan ka ndikim edhe në ambient. Ai ka potencuar se Qeveria Kurti po krenohet me vendosjen e filterave të termocentraleve në vend se të kërkoj falje që e ka vonuar instalimin e tyre.

Ejupi në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se këta filtera kanë qenë pjesë e një granit evropian që është dashur të instalohen në vitin 2021.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Impakti i termocentralit me gaz në ambient është përgjysmë më pak sesa i termocentraleve. Ne sot po flasim për filtera që kanë me ndalë ndotjen, këta filtera janë pjesë e grantit të EU-së që kanë pasur të instalohen në 2021. Në vend që të thotë më fal qytetarë të Kosovës se ka ndodhë një luftë e na është dashur Kosova B të mos ndalet dhe s’kemi mundur t’i vendosim, ky e shet si sukses vendosjen e tyre pas 5 vitesh”, ka deklaruar Ejupi.

Ejupi ka kritikuar edhe deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti gjatë fushatës, se po ua përmirëson cilësinë e ajrit diasporës. Ai ka thënë se kjo nuk mund të shitet si sukses.

“Në fund thotë kur vini ju diasporë po ua ndreqim ajrin, e unë që jetoj në Kosovë, që e ka vonuar për mua e për të tjerët vendosjen e tyre për pesë vjet, në vend se të kërkohet falje po e shesin si sukses”, ka deklaruar Ejupi.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një tubimi me mërgatën në Zvicër në kuadër të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 7 qershorit, foli për vendosjen e filterave në Termocentralin Kosova B, të cilët zvogëlojnë ndotjen e ajrit.

Kurti deklaroi se ndotja do të ulet në përputhje me standardet e BE-së pasi ndër të tjerash edhe “bashkatdhetarëve iu pengon shumë ajri i ndotur kur vijnë në vendlindje”.


“Kur vijnë zgjedhjet i japim 100 milionë si kurrgjë hiç” – Ejupi flet për refuzimin e gazit amerikan

Drejtori i INDEP, Burim Ejupi, ka thënë se Kosova po humb kohë duke mos e marrë gazin amerikan si burim të furnizimit me energji elektrike. Sipas tij edhe nëse ka kosto ndërtimi i termocentralit, Qeveria e Kosovës po shpenzon edhe ashtu mjaft nga buxheti i shtetit duke ndarë miliona euro.

Ejupi është shprehur se 100 milionë euro nga Qeveria, ndahen në kohë zgjedhjesh sikur asgjë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati deklaruar se Kosova ka mjaft thëngjill andaj nuk ka pse ta marrë gazin amerikan.

Ejupi në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se megjithatë përfitimet e Kosovës janë edhe siguria energjetike.

“Nuk duhet ne të flasim që po i kursejmë 5 milionë a 10 milionë e pastaj kur vijnë zgjedhjet i japim 100 milionë si kurgjë hiç. Problemi është se kjo të duhet për siguri, të duhet për balancim. Ne jemi duke kaluar në një tranzicion energjetik. Sepse ne për një gabim të KEK-ut e Ibër Lepencit kemi paguar miliona euro. Paramendo ta kemi termocentralin me gaz, lëshohet dhe ndalet me një buton”, ka thënë Ejupi.

Eksperti i fushës së energjisë ka deklaruar se Kosova do të përfitonte edhe sikur gazi amerikan të ishte vetëm tranzit për Malin e Zi e Serbinë.

“Ideja është që gazi nga Kosova është e rëndësishme po të jetë edhe vetëm tranzit për Malin e Zi e Serbinë. Do të thotë edhe nëse nuk e përdorë, merr të holla si tranzit. E përmenda për Shqipërinë që i merr 100 milionë në vit nga TAP-i vetëm që kalon nëpër Shqipëri, plus edhe përqindja”, ka deklaruar Ejupi në KTV.

Së fundmi, në një opinion të publikuar në disa media, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati Prattipati bëri thirrje që Kosova të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me SHBA-në, përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që s’është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të SHBA-së në rajon.


Ejupi për gazin amerikan: Në fund të vitit e kemi gazin në Shkup, kurrë më afër s’e kemi pasur

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP, ka thënë se në fund të vitit gazi amerikan do të arrijë në Shkup, e afërsinë me Kosovën prej kryeqytetit maqedonas ai e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për Kosovën. 

Ejupi ka theksuar se gazin nuk duhet parë vetëm si burim energjie, por edhe si stabilitet i energjisë, balancim dhe diversitet i energjisë. 

“Më 2023 ka filluar në Greqi që u nënshkruar një marrëveshje për linjë të re të gazit që shkon përmes Maqedonisë, ideja ka qenë me shku në Kosovë, përmes Kosovës të shpërndahet në Serbi dhe në Mal të Zi. Ka fillua projekti, ka pasur vonesa se ka pasë të kryhet më herët, në fund të vitit vjen në Shkup. Tash e kemi në Shkup gazin, kurrë më afër s’e kemi pasur gazin. E kemi tash gazin, e kemi vetëm 20 kilometra larg prej kufirit”, ka thënë ai në Konfront. 

Ejupi ka thënë se edhe në rast se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare për shtrirjen e gazit, sjellja edhe deri te Hani i Elezit do të kishte efekt të jashtëzakonshëm për shtetin. 

“Është projekti i fizibilitetit, kah do të shtrihet gazsjellësi, nëse duam ta bëjmë, nëse nuk kemi aq mjete financiare ne mund ta bëjmë gazsjellësin vetëm nga Shkupi te Hani i Elezit, 20 km. Nëse e bijmë gazin deri në Han të Elezit mund të përdorim për energji, dhe njëkohësisht të bëhet një termocentral me gaz që do na ndihmonte për balancimin dhe për tranzicion të mundshëm të energjisë”, u shpreh ai.