Përfaqësues të partive politike janë shprehur të gatshëm që t’i hyjnë edhe një herë garës zgjedhore për Kuvendin, po qe se nuk i jepet fund ngërçit të krijuar në konstituimin e legjislaturës së re. Por, në rast se jetësohet propozimi që ky proces të zhvillohet në ditë të njëjtë me atë për zgjedhjet lokale, ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, paralajmëron se do të ketë pasoja
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është alternativa e vetme, me të cilën pajtohen dy taborët politikë për t’i dhënë fund ngërçit të krijuar prej tash e 54 ditësh në Kuvendin e Kosovës. Kjo kërkesë për zgjedhje të reja erdhi pas dështimeve prej disa herësh për ta konstituuar Kuvendin e për të arritur marrëveshje politike për formimin e Qeverisë. Partitë, të gjitha shprehen të gatshme për to. Por, sugjerime për kohën e mbajtjes së tyre ka propozuar vetëm Vetëvendosje. Rekomandon që zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të mbahen në ditën e njëjtë me ato për kryetarë komunash. Mirëpo, zhvillimi i këtij procesi në mënyrë të rregullt është joreal për njohës e monitorues të disa palë proceseve zgjedhore në Kosovë.
Në partitë deri tash në opozitë preferojnë që të jetësohet rezultati zgjedhor i 9 shkurtit, porse pohojnë që zgjidhje për situatën aktuale janë edhe zgjedhjet e reja. Të shtunën, kur u bë edhe tentimi i 28 për konstituim të përbërjes së re të Kuvendit, deputeti i Lidhjes Demokratike, Arben Gashi tha se kësaj situatë duhet t’i jepet fund, qoftë edhe me shkuarje në zgjedhje të parakohshme.
“Ulen kryetarët e partive dhe merren vesh për një zgjidhje, qoftë për ta formuar një koalicion, qoftë një qeveri të pakicës, qoftë të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Gashi.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se partia e saj është e gatshme për zgjedhje të reja në çfarëdo date që mbahen ato.
“Sigurisht që ne jemi të gatshëm për zgjedhje në çdo kohë. Por ne duhet të jemi më të vëmendshëm. Nuk është gjithmonë me rëndësi se çka na bie mirë ne si parti politike. Politike, sepse sigurisht në bazë të matjeve është e qartë se PDK- ka shënuar rritje”, ka thënë Çitaku.
Zgjedhjet e parakohshme për të cilat të gjitha partitë shprehën gatishmëri, Lëvizja Vetëvendosje propozoi zyrtarisht në Presidencë që të mbahen të njëjtën ditë me ato lokale. Por, procesi i kaluar zgjedhor që ishte vetëm për një palë zgjedhje, ato parlamentare, nisi më 9 shkurt e u përmbyll me certifikim të rezultateve tek më 27 mars. U përcoll me shumë telashe teknike. Shkak u bënë edhe ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Bazuar në procesin zgjedhor të shkurtit, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thotë se zhvillimi i dy palë zgjedhjeve njëherësh do të jetë i ndërlikueshëm dhe i vështirë si për institucionin organizues ashtu edhe për qytetarët.
“Duhet të ketë një fletëvotim për zgjedhjet nacionale, duhet të ketë një fletëvotim tjetër për zgjedhjet lokale dhe duhet të ketë një listë tjetër për asambletë komunale, pra procesi komplikohet dhe nuk është që në kemi dhe po bëjmë përgatitjet e duhura të qytetarëve që marrin pjesë në proces”, thotë Baraliu.
Edhe Eugen Cakolli përfaqësues i organizatave monitoruese të zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, thotë se mbajtja e dy palë zgjedhjeve në një ditë do të rrisë gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata. Por, sipas tij, me kërkesën për zgjedhje deputetët po synojnë të krijojnë zgjidhje artificiale për ngërçin që e kanë krijuar vetë.
“Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial”, ka thënë ai.
Baraliu shpreh drojë se krahas zvarritjes dhe ndërlikueshmërisë së organizimit, procesi do ta rrisë edhe koston financiare, e të cilin thotë se deputetët nuk duhet t’ia shkaktojnë buxhetit të shtetit.
“Kam drojë që do të kemi probleme dhe zvarritje të procesit, ndërkaq sa i përket kostos, kostoja është shumë më e madhe do të jetë edhe më e madhe se kësaj radhe, fatkeqësisht për çdo herë çmimi i organizimit dhe mbajtjes së një palë zgjedhjeve e në këtë rast dy palë zgjedhjeve po shtohet”, ka shtuar ai.
Në KQZ nuk janë përgjigjur të shtunën nëse kanë kapacitete për organizim të dy palë zgjedhjeve brenda një dite. E deputetët që kërkojnë votim të parakohshëm nuk kanë arritur ta materializojnë rezultatin zgjedhor as katër muaj pas mbajtjes së tyre në afat të rregullt.