Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj kritikave për shtesat prej 100 eurosh, duke thënë se ato kanë qenë zotim elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti i kaluar.
Dugolli deklaroi se masa të ngjashme janë ndërmarrë vazhdimisht nga Qeveria Kurti që prej vitit 2021, pas rritjes së çmimeve si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këso lloj masash ka pasur që nga viti 2021, që kur erdhëm në qeveri e ku premtuam mbështetje për qytetarët pas rritjeve të çmimeve pas pandemisë, luftës në Ukrainë. Qeveria Kurti ka dizajnuar masa për çdo vit”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Dugollit, pretendimet se këto masa po ndërmerren në prag të zgjedhjeve nuk qëndrojnë, pasi – siç u shpreh ai – zgjedhjet nuk kanë qenë të dëshiruara nga partia në pushtet.
“Ky ka qenë zotimi ynë elektoral qysh vitin e kaluar. Më 9 shkurt i kemi fitu zgjedhjet dhe zotimi ynë ka qenë që do të vazhdojmë me masat e njëjta për shkak se inflacioni dhe rritja e çmimeve po godet qytetarët”, deklaroi Dugolli.
Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është që “dora e shtetit të jetë afër qytetarëve”, ndërsa ka thënë se nuk beson se ka probleme ligjore lidhur me këto vendime.
Dugolli mohoi gjithashtu se partia është në panik për vota, duke thënë se në terren po shohin “entuziazëm të madh” nga qytetarët.
Qeveria në detyrë gjatë ditës së sotme vendosi të ndajë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin privat dhe studentët. Gjithashtu u rritën shtesat për lehonat e papunësuara nga 325 në 500 euro.
Vendimi u kritikua gjerësisht se po bëhet për blerje votash në prag të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor.