Politika nuk është vetëm ajo që shfaqet në podiume, në debate televizive apo në fushata elektorale të mbushura me premtime të mëdha. Politika është realiteti që qytetarët përballin çdo ditë: çmimet që rriten, pagat që nuk mjaftojnë, të rinjtë që largohen nga vendi, drejtësia që vonon dhe shpresa që zbehet. Për këtë arsye, politika nuk mund të matet me duartrokitje, por me jetën konkrete të njerëzve.
Në thelb të një shteti funksional duhet të qëndrojë politika referenciale — politika që lidhet drejtpërdrejt me realitetin shoqëror dhe problemet konkrete të qytetarëve. Qeveritë serioze nuk ndërtojnë strategji mbi deklarata, por mbi fakte, statistika reale dhe nevojat e shoqërisë. Papunësia nuk luftohet me slogane patriotike, varfëria nuk zhduket me konferenca shtypi dhe zhvillimi ekonomik nuk matet me reklama politike. Qytetari i Republikës nuk kërkon luks në fjalime; kërkon siguri, punë, arsim cilësor dhe dinjitet.
Por politika moderne shpesh largohet nga realiteti dhe hyn në botën e iluzioneve. Kjo shihet qartë përmes politikës simbolike, e cila përdor flamuj, slogane, emocione dhe spektakël publik për të krijuar mbështetje dhe për të manipuluar perceptimin e qytetarëve. Në shumë raste, simboli zëvendëson përmbajtjen, fatkeqësisht. Patriotizmi përdoret si dekor elektoral, ndërsa problemet reale mbeten të pazgjidhura. Fjalët “ndryshim”, “bashkim”, “rilindje” apo “shpresë” tingëllojnë bukur në podium, por humbin vlerën kur nuk shoqërohen me veprim konkret. Sot qytetarët po lodhen nga politika e fasadës. Shoqëria nuk ka më nevojë për kryetarë partish që ndërtojnë imazh, por për liderë që ndërtojnë besim. Nuk ka nevojë për propagandë emocionale, por për institucione që funksionojnë. Sepse një flamur nuk ushqen një familje, një slogan nuk hap vende pune dhe një fjalim nuk zëvendëson drejtësinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë tej, politika përshkruese, na ndihmon ta shohim sistemin ashtu siç është në të vërtetë. Ajo analizon mënyrën se si funksionojnë institucionet, partitë politike, zgjedhjet dhe pushteti. Dhe realiteti shpesh është i dhimbshëm: politika flet në emër të popullit, por qytetari mbetet i padëgjuar; institucionet premtojnë barazi, ndërsa padrejtësia bëhet normale; demokracia shpallet sukses, ndërsa besimi i njerëzve te shteti bie çdo ditë. Kur politika humbet lidhjen me qytetarin, demokracia fillon të zbrazet nga kuptimi. Në këtë pikë hyn rëndësia e politikës normative — politika që nuk pyet vetëm “çfarë po ndodh”?, por “çfarë duhet të ndodhë”?. Një shtet demokratik nuk mund të ndërtohet mbi interesin personal të pushtetit, por mbi drejtësinë, barazinë dhe moralin publik. Nuk mund të ketë demokraci të shëndetshme kur hajnia (korrupsioni) bëhet kulturë, kur privilegji zë vendin e meritës dhe kur qytetari trajtohet vetëm si numër vote gjatë zgjedhjeve.
Shoqëritë nuk shkatërrohen vetëm nga varfëria ekonomike; ato shkatërrohen edhe nga varfëria morale dhe mungesa e besimit. Kur njerëzit humbin bindjen se shteti punon për ta, lind apatia, zemërimi dhe largimi. Dhe asnjë deklaratë nuk mund ta fshehë këtë realitet. Prandaj sot më shumë se kurrë kërkohet një politikë me përgjegjësi njerëzore, kombëtare dhe profesionale. Një politikë që dëgjon qytetarin para kamerës dhe pas saj. Një politikë që nuk e përdor popullin si dekor elektoral, por si qendër të vendimmarrjes. Një politikë që kupton se pushteti nuk është privilegj, por detyrim moral ndaj shoqërisë.
Demokracia nuk është spektakël mediatik dhe as shfaqje teatrale. Nuk është konkurs sloganesh dhe as garë propagande. Demokracia është kontrata morale midis shtetit dhe qytetarit. Ajo matet me drejtësinë që garanton, me mundësitë që krijon dhe me dinjitetin që u jep njerëzve.
Sepse në fund historia nuk i kujton qeveritë për fjalimet që mbajtën, por për jetën që u dhanë qytetarëve të tyre.