Në përvjetorin e masakrës së Dubravës, të mbijetuarit kanë kujtuar ditët kritike dhe kanë treguar se edhe me këngë kanë mbajtur lart moralin. Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ky krim është ndër plagët më të rënda gjatë luftës në Kosovë, e presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se në këtë vend shteti serb veproi si aparat vrasës
Enver Dukolli ia ka thënë këngës të premten, kur u shënua 27-vjetori i masakrës në Burgun e Dubravës, së cilës i ka mbijetuar.
Ai tregoi se edhe në ditët kur të burgosurit shqiptarë u kthyen në cak qitjeje, me këngë e mbajtën lart moralin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Më kujtohet si sot, ia fillonim këngëve si homazh për shokët tanë. Kaq kishim ne. I kujtonim me këngë” ‘dalëngadalë po vjen behari, dalëngadalë po na vjen, nëpër fusha rritej bari, dalëngadalë po na vjen. Po na vjen, po na vjen, bota zien, bota zien, shokët tanë kjo luftë po na i rrëmben. Po na vjen, po vjen, bota zien, bota zien, shokët tanë kjo luftë po na i rrëmben’”, tha Dugolli, para të pranishmëve në Akademinë përkujtimore.
Ai ka treguar se për ta mbajtur shpirtin gjallë, e për ta mbajtur kujtesën, të burgosurit ia thoshin këngës, siç kishin bërë edhe të tjerë të ngujuar në qeli me akuza politike.
“Hydajet Hyseni në vitet ’81, shkruante këngë për Jusuf Gërvallën, e ne të burgosurit i këndonim. Jehonte burgu nga këngët që i shkruanin vetë të burgosurit politik. Ia thoshim këngës që vetë ushtarët e kishin shkruar, ‘Kreshtat e Kosovës’. Muja e Beqa, edhe luftëtarë, edhe këngëtarë, por ne na mbante gjallë edhe në burgje sepse ia thoshim këngës së tyre. Këngë që ne na mbanin gjallë, e këngë që na udhëhiqnin drejt jetës e drejt lirisë”, ka thënë Dugolli.
Ky ish-i burgosur është i pari që ka reaguar rreth dy muaj më parë, ndaj një ekspozite të vendosur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, me të dhëna për masakrat në Kosovë. Në të cilën u prezantuan edhe të dhëna të pasakta. Ajo është bazuar në librin e Shkelzen Gashit, që për Masakrën e Dubravës shkruan se u vranë edhe njerëz të armatosur.
Para pjesëmarrësve, një nga të mbijetuarit, Nait Hasani, ka folur për ekspozitën.
“Sot po flas si dëshmitar i masakrës në Burgun e Dubravës, si një prej atyre që ka qenë brenda Burgut të Dubravës dhe në burgjet e Serbisë. Si njeri që i ka parë me sytë e tij dhe i ka përjetuar ato ditë tmerri dhe llahtarie. Për atë se çfarë ka bërë shteti serb mbi trupat dhe jetët tona këtu brenda burgut ndaj të burgosurve shqiptarë. Sot kjo datë na sjell në kujtesë ato ditë të tmerrshme ndërsa ky përvjetor është më i rëndë se të tjerët sepse në ekspozitën e mbajtur në Prishtinë, në sheshin ‘Nënë Tereza’, janë lajmëruar të gjithë të burgosurit dhe familjarët tanë. Përmes atij prezantimi në komunikatën në versionin e UDB-së për Masakrën e Dubravës pas 27 vjetësh në mes të Prishtinës prezantohet një ekspozitë për të mashtruar qytetarët në lidhje me Masakrën e Dubravës”, ka thënë ai. “Ekspozita e 24 marsit 2026 nuk është vetëm gabim, por është prezantim i qëllimshëm i deklarimeve të UDB-së së asaj kohe për Masakrën e Burgut të Dubravës”.
Në përvjetorin e masakrës së Dubravës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ky krim është një ndër plagët më të rënda gjatë luftës në Kosovë, e presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu ka theksuar se në këtë vend shteti serb veproi si aparat vrasës.
Kurti ka theksuar se Dubrava ishte pjesë e mekanizmave dhe represionit shtetëror serb të përdorur kundër shqiptarëve të Kosovës, që gjatë luftës u shndërrua në poligon pushkatimi.
“Në ato ditë të majit 1999, brenda Burgut të Dubravës, shteti kriminal i Serbisë kreu një ndër aktet më çnjerëzore. Nga rreth 980 të burgosur shqiptarë, 116 u vranë, 185 u plagosën, ndërsa profesori dhe mendimtari politik, Ukshin Hoti, u zhduk me dhunë”, ka thënë Kurti. “Të burgosur politikë, civilë shqiptarë, u vranë mizorisht në kundërshtim me çdo ligj ndërkombëtar. Ky ishte krim kundër njerëzimit, shkelje flagrante e konventave të Gjenevës dhe çdo norme të civilizimit njerëzor”.
Ai ka theksuar se emrat e viktimave të Dubravës, të gdhendur në memorial, janë aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim.
“Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptare, për torturat dhe keqtrajtimin ndaj të burgosurve shqiptarë, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë që nuk thyhej e nuk dorëzohej para torturave në burgjet serbe”, tha Kurti.
Ai ka thënë se dëshmitë e atyre ditëve janë rrëqethëse, e njëjtë u shpreh se janë edhe aktet heroike të të burgosurve që u janë vënë në ndihmë shokëve të tyre, kur të gjallët qëndruan në të njëjtin vend me shokët e tyre të vrarë.
“Sot kur kujtojmë viktimat e kësaj masakre, ne nderojmë edhe dëshmitarët e saj, ata që mbijetuan, ata që rrëfyen, ata që shkruan libra, dhanë dëshmi dhe e ruajtën të vërtetën nga harresa. Dëshmia e tyre është pjesë e të vërtetës historike të Kosovës dhe kujtesës sonë kolektive. Kosova ka obligim moral dhe shtetëror që ta ruaj këtë kujtesë, ta dokumentojë të vërtetën dhe të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat sepse shteti që kujdeset për kujtesën, mundëson drejtësi dhe ndërton paqe”, ka thënë Kurti. “Prandaj, krahas së qenit dhimbje, kujtesa jonë bëhet edhe drejtim. Ajo bëhet busull morale për brezat që vijnë që liria të mos merret kurrë si përherë e mirëqenë dhe që krimet e të kaluarës të mos lejohen që të përsëriten. Sot, kur kujtojmë martirët e Dubravës, kur kujtojmë mënyrën se si u vranë, ne kujtojmë edhe arsyen pse jetuan, për liri, për të drejtën që populli ynë të jetojë i lirë, në vendin e vet, të vendosë për veten”.
E, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se kjo masakrës u krye nën administrimin e shtetit serb mbi njerëz të çarmatosur, të mbyllur dhe krejt të pambrojtur.
“Burgu është vend ku shefi e mbyll derën nga jashtë. Ai që gjendet brenda tij nuk ka as armë, as liri e as mundësi që të mbrohet. Jeta e të burgosurit është në duart e institucionit që e ruan. Për këtë arsye, Masakra e Dubravës ndodhi brenda një institucioni shtetëror në administrimin e shtetit serb, mbi njerëz të çarmatosur, të mbyllur dhe krejt të pambrojtur. Pesha e krimit bëhet edhe më e rëndë kur dihet se të burgosurit politik shqiptarë nuk ishin aty rastësisht. Në pranverën e vitit 1999 në Dubravë u sollën njerëz nga burgje e qendra ndalimi nga Kosova, por edhe nga Serbia, të dënuar politik, të dënuar për vepra të ndryshme, të arrestuar në rrethanat e luftës, ku u burgosën këtu”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Dubrava nuk mjafton të përmendet vetëm si datë, por tha se duhet kujtuar si dëshmi për krimet monstruoze që Serbia i ka kryer në Kosovë.
“Në Dubravë shteti serb veproi si aparat vrasës, i kishte të burgosurit në regjistra, në pavionin nën rreshta dhe të mbyllur. Kjo është arsyeja pse Dubrava ka peshë të veçantë juridike e morale. Këtu krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi, ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë, në komandë, në rojë, në armë dhe në përpjekje për ta fshehur të vërtetën”, ka thënë Haxhiu. “Prandaj sot nuk mjafton ta përmendim Dubravën vetëm si datë, duhet ta kujtojmë si dëshmi për krimet monstruoze që Serbia i ka bërë në Kosovë kundrejt qytetarëve të pambrojtur shqiptarë. Gjithashtu duhet ta kuptojmë edhe si dëshmi të detyrës sonë që emrat e të vrarëve, dëshmitë e të mbijetuarve dhe e vërteta e plotë e Dubravës të bëhen pjesë e ndërgjegjes shtetërore të Republikës së Kosovës”.
Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.