Shumica prej banorëve, të shtyrë në moshë e me sëmundje të ndryshme, kanë kundërshtuar vendimin, duke kërkuar që shujtat ditore, vizitat mjekësore dhe pastrimin e rrobave t’ua bëjë Komuna, siç ka vepruar për vite me radhë
Avdullah Maksuti së bashku me bashkëshorten Sabrijen nga fshati Godanc i Komunës së Shtimes prej vitesh jetojnë të vetëm dhe pa përkujdesje në një shtëpi dykatëshe.
Ata deri në muajin janar të këtij viti janë përkrahur nga Komuna me shujta ditore të ngrohta, vizita mjekësore, pastrim të rrobave e mirëmbajtje të shtëpisë.
Por, ky projekt u është ndërprerë atyre dhe disa personave të tjerë me një vendim që e ka marrë ekzekutivi i Komunës.
“Mjekët të na dërgojnë për vizitë. Një ditë më bërtiti një mjek se e thirra ambulancën. I thashë shiko, ti paske dëshirë të vdes unë, më tha jo, por nuk ka mjek. Me ardhë nuk po vijnë, kemi mbetur kështu, kanë rrejt po vijmë po ju kontrollojmë, po ta pastrojmë, po ta fshijmë”, u shpreh Avdullah Maksuti, banor i Godancit.
Bashkëshortja e tij është e pafuqishme të kujdeset për të.
“Duhet me marrë atje, se këtij po i dhemb trupi në të gjitha anët e unë skam çka me i bë. I zihet fryma”, u shpreh Sabrije Maksuti.
Projekti për përkujdesje i është ndërprerë edhe Feim Xhemajlit nga fshati Carralevë, i cili jeton i vetëm në një dhomë e me kushte të rënda ekonomike.
“Kisha kërkuar të vijnë ta pastrojnë dhe ta rregullojnë dhomën, sepse është ende me dërrasa. Rrobat i pastroj vetë dhe me 70 euro jetoj nga sociali”, pohoi ai.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar opozita në Shtime, duke sqaruar se deri më tani ky projekt është realizuar vetëm me 260 euro në muaj për dhjetëra persona.
“Ne kemi arritur në institucionet e mëhershme t’i ofrojmë këto shërbime për këtë kategori deri me përfundimin e mandatit, ndërsa me ardhjen e qeverisjes së re automatikisht i kanë ndërprerë këto shërbime për fat të keq dhe nuk e dimë arsyen. Këto janë familje ekstremisht të varfra dhe me nevojë shumë të veçantë për t’u ofruar shërbime”, deklaroi Hasan Avdyli, kuvendar i PDK-së në Shtime.
Isa Haxhiu, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Shtimes, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se projekti është ndërprerë derisa të vërtetohet se a është realizuar marrëveshja sipas kontratës nga operatori.
Ka theksuar se nëse rezulton që këta persona kanë nevojë për shërbime të tilla ato do të rikthehen.
“Pas instalimit tim në rolin e drejtorit të DSHMS-së në Shtime, kam kërkuar raport për punët dhe mënyrën e funksionimit të këtij shërbimi. Menaxheri i kontratës thotë se ai nuk e menaxhon atë, nuk sjell asnjë raport dhe nuk e di se a kryhen ato shërbime. Natyrisht ne nuk e kemi parë të arsyeshme të paguhen ‘shërbime’, pa e ditur se a kryhen, se si kryhen dhe pa një kontroll për kryerjen e tyre. Që nga momenti i ndërprerjes së ‘kontratës’ akoma askush nuk është ankuar as nga vetë personat në fjalë, por as edhe nga familjarët e tyre. I vetmi që është ankuar është ‘ofruesi’ i shërbimeve, i cili thotë se deri tash ka qenë në Zvicër dhe tani ka ardhur, duke shprehur revoltë për ndërprerje të ‘kontratës’”, tha Haxhiu.
Sipas tij, është angazhuar Qendra për Punë Sociale që të bëjë një anketim të këtyre personave se a janë kryer këto shërbime, si janë kryer ato dhe a kanë nevojë për këto shërbime.
“Nëse na rezulton se ka nevojë për shërbime të tilla, natyrisht që ne do të fillojmë të përkujdesemi për ta, por duke e kontrolluar ofruesin e shërbimeve, në përputhje të një marrëveshjeje të re, që mund të ribëhet ose të riiniciohet”, shtoi Haxhiu.