Arbëri

Dhoma e Tregtisë: Rritja e çmimit të energjisë po i shfaq pasojat e para negative

Rryma - transmisioni - energjia elektrike - zrre - largperquesit

Foto: Driton Paçarada

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka thënë se rritja e çmimit të energjisë për 16.1 për qind si dhe liberalizimi i tregut të energjisë për bizneset, po i japin pasojat e para negative. 

Dhomat e Tregtisë i është referuar të dhënave të publikuara të enjten nga Agjencia e Stiatikave të Kosovës, që kanë treguar se çmimet e prodhimit pësuan ngritje prej 4.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit, pra në periudhën prill, maj dhe qershor. 

Sipas ASK-së, ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16,7%); shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9,3%); prodhimi i veshjeve (6,7%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4,2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2,5%); prodhimi tjetër p.k.t. (1,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1,6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara - thurëse (1,4%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); nxjerrja e xehes së metalit (0,3%); prodhimi i pajisjeve elektrike (0,3%); prodhimi i tekstilit (0,2%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (0,1%).

Dhoma e Tregtisë ka thënë se ka paralajmëruar për pasoja të tilla më parë. 

“Këto rritje e bëjnë edhe më të vështirë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikojnë kapacitetin e tyre për të ruajtur vendet e punës. Prandaj, DhTIK kërkon nga institucionet përgjegjëse që t’i rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga pasojat e rënda ekonomike”, ka njoftuar Dhoma e Tregtisë.