Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Temperaturat e larta, AUV-i bën thirrje të zbatohen me përpikëri rregullat e sigurisë ushqimore

ushqim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me ushqime të zbatojnë me përpikëri rregullat e sigurisë ushqimore, veçanërisht pasi në vend po mbretërojnë temperatura të larta.

AUV-i ka thënë se thirrja u drejtohet të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor, përfshirë prodhimin, përpunimin, ruajtjen, transportin, deponimin, shpërndarjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

AUV-i ka kërkuar gjithashtu që bizneset e gastronomisë, si restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-foodet dhe subjektet e tjera që merren me përgatitjen dhe shitjen e ushqimit, të respektojnë standardet ligjore dhe kushtet e sigurisë ushqimore.

Sipas Agjencisë, ruajtja e produkteve ushqimore duhet të bëhet në temperaturat e përcaktuara në etiketat e produkteve, ndërsa pajisjet ftohëse dhe ngrirëse duhet të kontrollohen rregullisht për të garantuar kushte të sigurta ruajtjeje.

AUV-i u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë blerjes, transportit dhe ruajtjes së ushqimeve në shtëpi deri në momentin e konsumimit.

“Çdo produkt që kërkon kushte të veçanta ruajtjeje i ka të specifikuara temperaturat në etiketë”, thuhet në njoftim.

Produkte veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave të larta janë ato me prejardhje shtazore, por kujdes duhet të tregohet edhe për produktet e tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura të caktuara.

“Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftimin e AUV-së, e cila thekson se vetëm përmes respektimit të rregullave mund të parandalohen helmimet ushqimore dhe të mbrohet shëndeti i konsumatorëve.

Agjencia ka paralajmëruar se gjatë sezonit veror do të intensifikojë kontrollet për të mbikëqyrur zbatimin e kërkesave ligjore, duke theksuar se asnjë shkelje nuk do të tolerohet.

“Shëndeti publik varet nga siguria ushqimore. Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt”, thuhet në fund të njoftimit.