Arbëri

Dështon projekti për ndërtimin e 260 shtëpive për komunitetin ashkali, 12 familje mbesin pa strehë

Dymbëdhjetë familje të komunitetit ashkali në Lipjan po ankohen se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale prej dy vjetësh ua ka lënë në gjysmë ndërtimin e shtëpive për të cilat kjo ministri kishte nënshkruar marrëveshje edhe me Komunën e Lipjanit. Por deri tash këto familje ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje institucionale për ndërprerje të punimeve.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale prej më shumë se dy vjetësh ka dështuar ta përfundojë projektin për ndërtimin e 260 shtëpive për komunitetin ashkali në disa komuna.

Në Lipjan kjo çështje ka nxitur më së shumti reagime, derisa 12 familje nga ky komunitet po vazhdojnë të jetojnë me kushte të rënda ekonomike.

Përfituesit e shtëpive që janë në asistencë sociale kanë thënë se tash e dy vjet institucionet komunale dhe ato qendrore nuk po u japin përgjigje konkrete për ndërprerjen e punimeve.

“Kjo shtëpi këtu është nisur nga Qeveria për të na ndihmuar, por ende nuk është përfunduar sa duhet. Nuk është vetëm shtëpia ime me këtë gjendje, por ka edhe të tjera. Andaj kërkojmë nga Qeveria të na ndihmon dhe mos të qëndrojmë nëpër shtëpi të huaja, por ta kemi shtëpinë tonë”, ka thënë Zijadim Selmani, përfitues i shtëpisë në Lipjan.

“Jam 13 anëtarë, s’kam ku të shkoj, s’kam të ardhura nga askush, andaj shtëpia ka mbetur kështu . Kërkoj prej Qeverisë të na ndihmojë që mos të na len nëpër shtëpi të huaja, sepse sot personi i shtëpisë ka qenë dhe më ka dhënë afat për një javë t’ia liroj shtëpinë. Kam qenë edhe te Luli në Komunë jam ankuar”, është shprehur Nexhmedin Selmani, po ashtu përfitues.

Nënkryetari i Komunës së Lipjanit për komunitetin pakicë, Lulzim Qerimi, ka thënë se ky projekt tashmë ka dështuar. Sipas tij, me këtë komunitetit ashkali po i bëhet e padrejtë nga niveli qendror.

“Dy vjet kaluan dhe ende një shtëpi është dashur për 2 apo 3 muaj të ndërtohet siç ka qenë e planifikuar në vitin 2019 dhe ende nuk ka sinjal pozitiv. Unë vazhdimisht jam në kontakt me përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe ende ata nuk kanë përgjigje se çka do të bëhet më tutje. Unë kërkoj që sa më shpejt të bëhet një zgjidhje për këto familje skamnore”, ka thënë Qerimi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES për këtë çështje.