Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar tri raporte lidhur me dëmet që kanë shkaktuar projektet kapitale në mjedis.
Sipas raportit "Lumenjtë e zi të Kosovës", viteve të fundit ndotja e lumenjve është manifestuar me ngordhje masive të peshqve, e madje edhe të bagëtisë.
"Edhe pse ndotësit më të mëdhenj industrial të lumenjve në Kosovë konsiderohen Korporata Energjetike të Kosovës, Feronikli dhe Sharrcem, minierat e Trepçës, Kishnicës e Artanës, kanalizimet kolektive përbëjnë një nga ndotësit kryesor të lumenjve", thuhet në raport.
Sipas Diana Metushi- Krasniqi, autore e raportit, ujërat e ndotura përveç se rrezikojnë florën dhe faunën, ato rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve të Kosovës, sidomos duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e zonave rurale ende furnizohen me ujë të pijshëm dhe amvisëri nga puset, të cilat mbushën nga këto rrjedha të ndotura dhe për aq më shumë nuk inspektohet cilësia e ujit të këtyre puseve, raporton Koha.
"Sipas statistikave të Institutit Kombëtër të Shëndetit Publik të Kosovës të vitit 2017, është shqetësuese rritja e statistikave të sëmundjeve të cilat barten nga ujërat dhe toka e ndotur, si diarrea dhe salmonella", ka thënë ajo.
Në raport thuhet se gjatë viteve 2017-2019 institucionet publike të Kosovës kishin kontraktuar 326 projekte për ndërtimin e kanalizimeve, të cilat derdhen në të gjithë lumenjtë e Kosovës.
Ndërkohë, raporti tjetër, "Ujë pak e nevoja shumë" flet për ndërtimin e hidrocentralit në Biti të Poshtme, duke shpërfaqur mangësite e shumta në këtë proces.
Aty tregohet se Raporti i vlerësimit të mjedisit për këtë hidrocentral kishte mangësi thelbësore, duke mos trajtuar ndikimet në bujqësi, shoqëri, si dhe duke i trajtuar sipërfaqësisht ndikimet në florë dhe faunë.
"Ministria e Mjedisit i kishte dhënë pëlqim investitorit për ndërtim, pa pëfillur detyrimet ligjore që sigurojnë pjesëmarrjen e komunitetit në vendimarrje për proceset e vendimet që kanë ndikim mjedisor", thuhet në raport.
Avni Zogiani, zëvendesministri i Infrastrukturës dhe Ambientit ka thënë se Ministria e Mjedisit është lëshuar në lëshime të lejeve pa përfillur mirë ligjin.
"Vlerësimet e ndikimeve në mjedis janë bërë ‘copy-paste’ dhe janë bërë nga kompania pa dalë fare në teren", ka thënë ai.
Për këtë, ai e ka përmendur rastin që kishte raportuar gazeta për lëshimin e pëlqimeve mjedisore për dy hidrocentrale të ndryshme në të njëjtin segment lumor.