Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çmohet lart roli dhe kontributi i ish-kongresmenit Engel për Kosovën

Seanca per Eliot Engel

Foto: Driton Paçarada

Krerët e institucioneve kanë vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e ish-kongresmetin amerikan, Eliot Engel, në historinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. 

Në seancën e Kuvendit të organizuar në nderim nder të Engel, i cili vdiq më 10 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, ka thënë se Engel la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bëshkë edhe me shumë kongresistë e senatorë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit, dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, ka theksuar Haxhiu, në seancë që ka nisur më një minutë heshtje në nderim të Engel. 

Ajo ka thënë se Engel përgjatë gjithë karrierës së tij nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës.

“Në vitet e errëta kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Emgel ngriti zërin”, ka theksuar Haxhiu. 

Kryeministri Albin Kurti e ka ngritur lart figurën e Engelit, duke e vlerësuar si njeriu që i dha zë Kosovës në çdo kohë, para dhe pas pavarësisë. Kurti ka theksuar se Engel zë vend të veçantë në mesin e të gjithë aleatëve që ka vendi.

“Ai donte atë që ne e duam për vete. Në kohët më të vështira për shqiptarët Engel u bë zëri që nuk e kishim. Ai u bë kongresisti ynë, i tillë do të mbetet përgjithmonë. Interesi i sinqertë për të ardhmen e Kosovës për të cilin punoi aq shumë ishte në qendër të takimeve tona. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe aleatëve tanë perëndimorë ku një vend të veçantë zë Eliot Engel”, ka thënë Kurti.

Në emër të grupit parlamentar të LVV-së, Liza Gashi, ka përkujtuar kontributin e madh të Engel gjatë luftës në Kosovë dhe dëshmitë që ua paraqiti amerikanëve për krimet që po kryheshin kundër popullit shqiptar nga serbët.

“Për Kosovën Eliot Engel nuk ishte vetëm një mik i madh në Kongresin amerikan, ai e kuptoi drejtë dhimbjen tonë, e mbrojti të drejtën tonë për liri dhe qëndroi pranë nesh kur rruga drejt shtetësisë dukej shumë e gjatë dhe e vështirë”, ka thënë Gashi.

E nga PDK, Vlora Çitaku, e ka çmuar kontributin që Engel bëri për Kosovën në Washington derisa ka treguar se Engel kishte krijuar narrativën për Kosovën në SHBA dhe e kishte përhapur atë te secili kongresist tjetër.

“Eliot Engel kishte bërë atë që shumë pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë, kishte lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve”, ka theksuar Çitaku.  

Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK e ka cilësuar Engelin si zërin më të fuqishëm të lirisë së Kosovës.

“Për Engel liria e Kosovës nuk ishte çështje gjeopolitike, ishte çështje morale, ishte lufta e tij personale mes të mirës dhe të keqes”, potencoi Lushaku-Sadriu.

Artan Asllani nga grupi multietnik ka theksuar se akterët politikë sot duhet të dëshmojnë atë që Engel e ka bërë për Kosovën vazhdimisht dhe ta vazhdojnë shtetndërtimin.

“Ai ishte mik i kosovarëve sepse mbrojti Kosovën dhe nuk mbrojti vetëm kauzën kombëtare, por mbrojti dinjitetin e njerëzve që jetojnë këtu pavarësisht përkatësisë së tyre”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tek ka nderuar dhe përkujtuar kontributin e Engelit, ka theksuar se grupi i tij pret nga Kuvendi ta themelojë çmimin “Eliot Engel” që t’u ndahet personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë për Kosovën.

“Engel nuk ishte vetëm aleat politik, ishte mik i sinqertë i shqiptarëve dhe zë i fuqishëm i lirisë”, ka thënë ai.