Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar konferencës së ministres në detyrë, Albulena Haxhiu, në të cilën ajo e cilësoi cenim të rendit kushtetues, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban.
Çitaku i ka thënë Haxhiut se ajo është në pushtet tash e sa vjet, por se reagimin e ka bërë veç në kohën kur Kushtetuesja vendosi për seancën konstituive të Kuvendit, jo në përputhje me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sa për qartësi, kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën dhe këtë e kanë konstatuar me unanimitet të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe dy prej të cilëve i keni votuar edhe ju. Çdo përpjekje për të delegjitimuar institucionin, në këtë rast GJK-në, është as më shumë e as më pak se thirrje për anarki. Ku ishit ju, të nderuar, para katër, tre, dy, një viti? Kishit pushtet absolut. Siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për shtyp, por me veprime konkrete. Të mjerë dhe të rrezikshëm njëkohësisht”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
